E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehaj: Fenomeni i call center-ave mashtrues, i përhapur në të gjithë Tiranën

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, u shpreh sot në Kuvend se aktiviteti kriminal i call center-ave mashtruese është përhapur në Shqipëri duke akuzuar institucionet ligjzbatuese për mungesë veprimi ndaj këtij fenomeni.

Shehaj, deklaroi gjatë interpelancës me ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari se aktiviteti mashtrues ndaj qytetarëve evropianë është shtrirë gjerësisht në Tiranë.

“Është e vështirë që në një pallat të mos ketë një zyrë që mashtron qytetarë evropianë nga Shqipëria”, u shpreh ai.

Sipas Shehajt, sektori i call center-ave lindi në Shqipëri rreth viteve 2005, falë njohjes së gjuhëve të huaja dhe taksave të ulëta, duke krijuar mijëra vende pune dhe duke tërhequr kompani të mëdha ndërkombëtare.

Por, sipas tij, me kalimin e viteve ky sektor u infiltrua nga krimi i organizuar.

“Paralelisht me aktivitetin e ligjshëm të call center-ave, ka lindur një sektor i errët ku të rinj dhe të reja mashtrojnë shtetas italianë duke u zhvatur qindra mijëra euro”, deklaroi Shehaj.

Deputeti i Partisë Mundësia akuzoi Policinë e Shtetit dhe organet ligjzbatuese se nuk kanë ndërmarrë masa për të luftuar këtë fenomen, por sipas tij, janë bërë pjesë e tij.

Ai tha se ndërhyrjet ndaj këtyre aktiviteteve janë bërë vetëm pas sinjalizimeve dhe hetimeve nga prokuroritë e vendeve të Bashkimit Evropian.

“Operacionet janë iniciuar nga prokurorët e vendeve të BE-së, të cilët kanë orientuar policinë shqiptare duke treguar edhe vendet ku zhvillohej aktiviteti”, u shpreh Shehaj.

Në fund të fjalës së tij, deputeti kërkoi sqarime mbi masat që po merren për të parandaluar përsëritjen e këtyre rasteve dhe për të luftuar dekonspirimin e hetimeve të huaja nga strukturat vendase.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›