Humbën rrugën gjatë eksplorimit në Shebenik, policia ndihmon dy turistë nga Zvicra

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Policia u ka ardhur në ndihmë dy turistëve nga Zvicra të cilët kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit të zonës së Shebenikut.
Salla Operative e Komisariatit të Policisë Librazhd mori njoftim se një çift turistësh kishte humbur rrugën gjatë eksplorimit të malit të Shebenikut. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së Librazhdit u nisën drejt zonës për të lokalizuar dhe ndihmuar turistët. Në mbështetje të tyre shkuan edhe punonjës të zonave të mbrojtura. Pas disa orësh kërkime, turistët u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore. Turistët falënderuan punonjësit e Policisë për gatishmërinë dhe ndihmën e dhënë, si dhe punonjësit e zonave të mbrojtura. Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan u shpreh në njoftim se mbetet e angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë e turistëve dhe vizitorëve.