Humbja e sigurt e standardeve
Kristaq Kume/ish-kryetar i KQZ-së
-Në Kodin Zgjedhor parashikohet që administrata zgjedhore të ndërtohet mbi bazën e parimit të përfaqësimit politik dhe balancimit. Kjo është zgjedhja që ka bërë legjislativi shqiptar për ndërtimin e kësaj administrate. Por, ky parim nuk zbatohet njësoj në nivele të ndryshme të administratës zgjedhore; kështu, nëse i referohemi niveleve të dyta dhe të treta, pra KZAZ-ve dhe KQV-ve, në bazë të Kodit Zgjedhor, anëtarët e tyre, të ardhur aty si rrjedhojë e parimit të përfaqësimit politik dhe të balancimit, janë përfaqësues të subjekteve politike. Përveç kësaj, forcave politike, Kodi u jep të drejtë që në çdo kohë, ato të ndryshojnë komisionerët dhe në një rast të tillë madje, kërkesa e subjektit përkatës të mos diskutohet, por vetëm të zbatohet. Mjafton që personi i propozuar të plotësojë kushtet e kërkuara nga Kodi. Ndryshe ndodh në zbatimin e parimit të balancimit dhe përfaqësimit politik kur vjen fjala për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. KQZ-ja në zbatim të këtij parimi ndërtohet duke e filluar procesin me propozimet që bëjnë partitë politike parlamentare, 3 anëtarë nga mazhoranca dhe 3 nga propozimet e opozitës. Anëtari i shtatë nuk ka nuk ka lidhje me asnjë parti politike, pasi sipas kodit, kryetari i KQZ-së zgjidhet si produkt i një gare ku ftohen të marrin pjesë të gjithë shqiptarët që plotësojnë kushtet dhe kanë dëshirë të kryejnë këtë detyrë. Më tej, Kodi parashikon që kjo hallkë e administratës zgjedhore të mos ketë asnjë pikë kontakti me partitë politike, në ndryshim esencial nga ajo përcaktohet për nivelet e dyta dhe të treta. Anëtari i KQZ-së pasi merr mandatin dhe betohet, është një nëpunës që është në shërbim dhe zbatim të ligjit. Në reformën e fundit zgjedhore, dy partitë kryesore, për të forcuar më tej këtë karakteristikë të KQZ-së, pra paprekshmërinë e tij nga forcat politike, ranë dakord dhe shtuan mandatin e anëtarit të KQZ-së nga 4 në 6 vjet. E ndërtuar në këtë mënyrë, e gjithë administrata zgjedhore, sipas mendimit tim, në themel të saj, pra në burim ka faktin që partitë politike, ato të mëdha, nuk e besojnë në një proces zgjedhor njëra-tjetrën. Ato kanë ndërtuar rregulla të tilla, përmes të cilave ushtrojnë kontroll të vazhdueshëm të njëri-tjetrit. Produkti ishte kjo administratë bipartizane, e cila si e tillë ka mundësi që të ndikohet dhe përdoret në rrugën e administrimit nga ana e forcave politike. Pra jemi në kushtet kur, megjithë kërkesat e bëra nga faktorët jopolitikë, ose institucionet ndërkombëtarë që të punohej për depolitizimin, administrata aktuale, sipas kodit në fuqi, vijon të mbetet e politizuar. Megjithëse partitë politike, në rastin e KQZ-së kanë vendosur që të bazohen te nëpunës që i nënshtrohen vetëm ligjit, duket se ato nuk e kanë përtypur këtë gjë kaq lehtë. Ajo çka ndodhi me KQZ-në, rezultati i së cilës është se ne sot kemi vetëm një komision të përgjysmuar me 4 anëtarë, tregon këtë gjë, që pavarësisht se ishin dakord të ndërtonin një institucion që të varej kryesisht dhe vetëm nga ligji, ato nuk arritën dot ta zbatonin. Natyrisht në atë çfarë ne u përballëm, domethënia e së cilës është ndërhyrja për ta patur në dorë komisionin, është që edhe mënyra e sjelljes të ishte në kundërshtim me ligjin; në rastin konkret, PD-ja në emër të parimit të balancimit politik të KQZ-së, mbi të cilin është ndërtuar ky komision, kërkoi që, pasi ndryshoi situata me aleancat politike, të rishikoheshin balancat. Kjo binte në kundërshtim me atë që vetë partitë kishin sanksionuar në Kodin Zgjedhor. Këtë e kuptoi edhe vetë PD-ja pasi dhe vendimi i Kuvendit të Shqipërisë për të larguar anëtarin që ishte propozuar nga LSI-ja, nuk bazohej mbi kriterin e balancës, por mbi atë të shkeljes së një germe të Kodit sa i përket emërimit të tij në detyrë. Dorëheqja e mëtejshme e anëtarëve të opozitës, pavarësisht argumentimit zyrtar, tek të gjithë transmetohet si një kundërveprim me sens politik i një krahu ndaj krahut tjetër. Kjo në kurriz të institucionit. Produkti është se sot kemi këtë institucion me 4 anëtarë, që referuar ligjit zgjedhor, mund ta çojë deri në fund procesin, por jo ta realizojë atë ashtu siç ne të gjithë presim të bëhet. KQZ-ja sipas ligjit duhet të trajtojë të gjithë çështjet që kërkojnë vendime për realizimin e procesin zgjedhor, mes të cilave edhe ato që kërkojnë 5 vota. Në këtë rast, Kodi e zgjidh përmes procesit ankimues, aktivizohet Kolegji Zgjedhor. Pra, formalisht shkohet në finale, por produkti që kërkohet, në kuptim të një procesi me standarde, që i hap dyert vendit për atë çka ne aspirojmë, nuk ka sesi të jetë i pranueshëm. Po kështu, procesi i administruar në këtë formë, ka krijuar një alibi serioze për mospranimin e rezultatit. Jemi pra përpara përpjekjeve të të gjithë atyre që janë futur në këtë garë, për të shfrytëzuar në maksimum atë çfarë lejon ligji, atë çfarë mund të interpretohet brenda ligjit në funksion të interesit partiak.