E Diel, 1 Nëntor 2026

Hungari, legjenda e shahut propozohet për president/Nëse pranon, Judit Polgar zëvendëson ish-aleatin e Orbanit, Sulyok

E njohur si lojtarja më e fortë grua e shahut në histori, Judit Polgar është e përzgjedhura e kryeministrit Peter Magyar për postin e presidentes së Hungarisë. “Vendi ynë ka nevojë për unitet, paqe dhe një presidente për të cilën të gjithë hungarezët të jenë krenarë”-  shkroi Magyar në një postim në Facebook, duke njoftuar se ai do të takohet me Polgar për ta pyetur nëse ajo është e gatshme t’i shërbejë vendit në atë detyrë.

Judit Polgar, e cila brenda pak ditësh feston ditëlindjen e 50-të, ruajti pozicionin e saj si numri 1 në botë në shahun e femrave nga viti 1989 deri në tërheqjen nga garat në 2014, një periudhë prej më shumë se 26 vitesh, të njohur zyrtarisht edhe nga Libri i Rekordeve Guinness.

Në atë vit ajo u tërhoq nga garat, por jo nga bota e shahut pasi Polgar shkroi një seri librash për fëmijë rreth asaj loje. Ajo gjithashtu krijoi “Fondacionin e Shahut Judith Polgár”, për ta bërë atë lojë pjesë të kurrikulës së studimeve kombëtare në Hungari, duke e konsideruar sportin si një aftësi të zgjidhjes së problemeve dhe të të menduarit strategjik.

Propozimi i Magyar erdhi pasi parlamenti hungarez miratoi javën e kaluar një ndryshim kushtetues që i hapi rrugë largimit nga detyra presidentit aktual Tamas Sulyok, një aleat i ish-kryeministrit Viktor Orban, të cilin kryeministri e rrëzoi nga pushteti pas 16 vitesh në detyrë gjatë zgjedhjeve të këtij viti. Dita e fundit e Tamas Sulyok si president ishte e diela. Agnes Forsthoffer, kryetarja e parlamentit, do të shërbejë përkohësisht në postin e kreut të shtetit derisa parlamenti të zgjedhë një president të ri brenda 30 ditëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›