Ringrihet Kisha e Shën Ilisë në Lekël/Një vit pas zjarrit, rikthehet ky simbol i trashëgimisë

Në gusht të vitit të kaluar, flakët e një zjarri të fuqishëm, të favorizuara nga era, përfshinë kishën e Shën Ilisë në fshatin Lekël të Bashkisë Tepelenë. Zjarri dëmtoi çatinë dhe tavanin e objektit, ndërsa pjesa tjetër e kishës u shpëtua falë ndërhyrjes së shpejtë të banorëve dhe forcave zjarrfikëse.
Sot, një vit më pas, panorama është krejt ndryshe. Kisha po rikthehet në identitetin e saj, ndërsa për banorët e Leklit ky restaurim përfaqëson jo vetëm shpëtimin e një objekti kulti, por edhe ruajtjen e historisë, besimit dhe identitetit të komunitetit.
“Ne punuam këtu në kishë, bëmë çatinë, suvatë, tavane, të gjitha edhe ngelëm të kënaqur me punën që bëmë”, u shpreh një banor i fshatit.
Pas kërkesave të vazhdueshme të komunitetit dhe Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, Ministria e Kulturës akordoi fondin për rehabilitimin e kishës. Punimet restauruese dhe konsoliduese vijojnë, me synimin për të garantuar ruajtjen afatgjatë të këtij monumenti të rëndësishëm.
“Kisha është restauruar totalisht dhe ky objekt do jetë në shfrytëzim të banorëve dhe duke ruajtur vlerat e tija të cilat prej i mbarë prej kohësh”, u shpreh Ardis Duka, Drejtor i Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër.
Kisha e Shën Ilisë është një nga objektet me vlera të veçanta të trashëgimisë kulturore në zonë, dëshmi e arkitekturës tradicionale dhe e jetës shpirtërore të komunitetit ortodoks ndër shekuj. E ndërtuar në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX nga Thanas Vaja, një prej bashkëpunëtorëve të Ali Pashë Tepelenës, ajo i ka mbijetuar kohës, fatkeqësive natyrore dhe trazirave historike. Pas dëmtimeve të shkaktuara nga zjarri i 12 gushtit të vitit të kaluar, kisha po ri ngrihet sërish, duke rikthyer një simbol të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të Leklit.
/rtsh.al/