Hungaria vonon anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO

Hungaria vonon më tej votimin për ratifikimin e kërkesave të pranimit për Suedinë dhe Finlandën në NATO. Kjo u bë e ditur sipas një përditësimi të publikuar të enjten në faqen e internetit të Asamblesë Kombëtare. Ky është hapi më i fundit i një seri shtyrjesh që kanë stresuar aleatët perëndimorë.
Vonesa, e cila e shtyn votimin me dy javë, vjen pasi Hungaria mbetet i vetmi vend anëtar i NATO-s, përveç Turqisë, që nuk ka miratuar ende kërkesën e dy vendeve nordike për t’u bashkuar në aleancën ushtarake perëndimore.
Kryeministri populist i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se ai personalisht është në favor të anëtarësimit të dy vendeve në NATO, por pretendon se qeveritë në Stokholm dhe Helsinki kanë “përhapur gënjeshtra” për Hungarinë, të cilat kanë ngritur pyetje në mesin e ligjvënësve në partinë e tij për miratimin e kërkesave.
Në një intervistë radiofonike më 24 shkurt, Orban konfirmoi se Hungaria do të dërgonte një delegacion parlamentar në Suedi dhe Finlandë për të kërkuar “sqarime” për çështje të tilla përpara se ratifikimi të shkonte për votim në parlament.
Në komentet në parlamentin e Hungarisë, Agnes Vadai, një ligjvënëse liberale dhe një ish-sekretare e shtetit në ministrinë e mbrojtjes të Hungarisë, kritikoi partinë qeverisëse Fidesz për vonesat e shumta dhe i akuzoi ata për zvarritje të qëllimshme për votimin.
“Kjo mund të ishte një çështje e shpejtë dhe e thjeshtë në parlamentin e Hungarisë, por nuk ishte e tillë. Nuk ishte sepse kishte gjithmonë ndonjë justifikim ose taktikë ngecëse nga partia qeverisëse,”- tha Vadai, duke shtuar se dërgimi i një delegacioni parlamentar në Suedi dhe Finlandë ishte “mashtrimi më i ri për t’u shtyrë votimi”.
Delegacioni hungarez pritet të takohet me kryetarin e asamblesë suedeze Andreas Norlén dhe ligjvënës të tjerë në parlamentin suedez, Riksdag, të martën e ardhshme, sipas një deklarate të Riksdag dërguar Associated Press. Apnews
/rtsh.al/