E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hyn në fuqi marrëveshja e pensioneve Shqipëri-Itali, Rama: Lehtësi për mijëra shqiptarë dhe italianë

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur nisjen e zbatimit të plotë të marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e kontributeve shoqërore.

Sipas kryeministrit Rama, zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të sjellë “një lehtësi të madhe të mijëra qytetarëve shqiptarë, po edhe të mijëra italianëve që kanë punuar në të dy vendet, të cilëve u njihet plotësisht çdo vit pensioni jashtë atdheut”.

“Nga sot nisi zbatimi i plotë i marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e kontributeve shoqërore, duke sjellë një lehtësi të madhe të mijëra qytetarëve shqiptarë, po edhe të mijëra italianëve që kanë punuar në të dy vendet, të cilëve u njihet plotësisht çdo vit pensioni jashtë atdheut. Nderim dhe respekt për mundin e kontributin e tyre”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Ndërkaq, sot hyri në fuqi zbatimi i kësaj marrëveshjeje ku të gjithë qytetarët mund të bashkojnë periudha e sigurimit në të dyja shtetet në mënyrë që të mos humbasin asnjë kontribut, pavarësisht kohës dhe vendit ku janë hedhur.

Nëse një shqiptar aplikon në Itali për lidhjen e pensionit, do të jenë institucionet italiane që do të shkëmbejnë informacion me institucionet shqiptare për të bashkuar periudhat e sigurimeve të personit. Nga kjo marrëveshje mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet apo sigurimet për papunësinë.

Qytetarët që do të aplikojnë në Shqipëri për pension pleqërie duhet që në portalin e-Albania të plotësojnë edhe rubrikën që lidhet me periudhat e sigurimit jashtë Shqipërisë. Bazuar në kërkesën dhe dokumentacionin e dorëzuar, struktura përgjegjëse në Institutin e Sigurimeve Shoqërore plotëson formularin përkatës në varësi të llojit të përfitimit të kërkuar, si dhe Formularin AL-IT 205 që vërteton periudhat e sigurimit në Shqipëri, të cilët i përcillen Italisë për shqyrtim.

Ndërkohë që nëse kërkesa paraqitet nga qytetari që vijon të jetojë në Itali, kërkesa për pension i paraqitet INPS-së (Institutit Italian të Sigurimeve Shoqërore), në përputhje me procedurat administrative të institucionit kompetent italian. Për informacion të detajuar mbi procedurën e aplikimit në Itali, qytetarët mund t’i referohen faqes zyrtare të INPS-it.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›