E Diel, 1 Nëntor 2026

Hysaj: Finlanda skuadër e fortë, objektivi ynë është vendi i parë

TIRANË, 2 tetor/ATSH/ Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj e cilësoi Finlandën një kundërshtar të fortë dhe theksoi se kuqezinjtë duhet të japin maksimumin për të arritur objektivin e tyre në UEFA Nations League.

Në konferencën për media në prag të sfidës, Hysaj foli edhe për ndryshimet në Kombëtare, afrimin e lojtarëve të rinj dhe ndikimin e trajnerit të ri, Rolando Maran.

Duke iu referuar përvojës së tij me Kombëtaren, ku ka arritur në 101 ndeshje, Hysaj tha se përpiqet të ndihmojë lojtarët e rinj që po afrohen te përfaqësuesja.

“Të them të drejtën, kam ndarë pak përvojë nga ato që kam kaluar. Tani ka ndryshuar pak puna e gjeneracionit, kështu që duhet t’i marrim ne të rinjtë, t’i përkrahim dhe t’u japim një dorë për t’i rritur. Janë lojtarë me kualitet dhe nuk kanë shumë nevojë për ndihmë. Jam i kënaqur nga kjo pjesë”, u shpreh ai.

Për objektivin e vendit të parë në grup, mbrojtësi kuqezi vlerësoi nivelin e kundërshtarëve, duke theksuar se Shqipëria synon të kalojë grupin në krye.

“Kemi një skuadër shumë të fortë. Grupi është i fortë, me Finlandën dhe Bjellorusinë që janë pothuajse në të njëjtin nivel me ne. Është objektiv ynë që të kalojmë këtë grup dhe të dalim të parët. Jemi një skuadër në evolucion dhe duhet të kërkojmë më shumë nga secili prej nesh”, deklaroi Hysaj.

Ai vlerësoi edhe punën e trajnerit të ri, Rolando Maran, duke theksuar se skuadra po synon të zhvillojë një futboll më ofensiv.

“Kemi edhe trajnerin e ri, i cili po na ndihmon të zhvillojmë një lojë më të bukur dhe më sulmuese. Kështu që jam shumë i kënaqur”, tha Hysaj.

I pyetur për të ardhmen e futbollit shqiptar, Hysaj u shpreh optimist për gjeneratën e re, duke veçuar numrin e lojtarëve të rinj që po dalin në mesfushë dhe sulm.

“Besoj që janë duke dalë shumë lojtarë shqiptarë të rinj. E vetmja gjë që po mungon është në prapavijë, që nuk po dalin shumë mbrojtësa. Por në mesfushë dhe në sulm ka shumë zgjidhje dhe shumë lojtarë të fortë”, u shpreh ai.

Hysaj përmendi edhe disa prej lojtarëve të rinj të grumbulluar me Kombëtaren, duke theksuar se kanë potencial për të ardhmen.

“Edhe Qefalia dhe Sina që erdhën, Hasa po ashtu, janë lojtarë të mirë që kanë një të ardhme përpara. Besoj që Shqipëria do të jetë e sigurt edhe për të ardhmen”, tha ai.

Sa i përket të ardhmes së tij, Hysaj bëri të ditur se është në bisedime me disa skuadra, por ende nuk ka një vendim zyrtar.

“Kombëtarja më ndihmoi, pasi ishte momenti për të treguar se jam ende në formë. Kanë kaluar shumë muaj që nuk luaja dhe besoj se do të hapet diçka e re. Jam në bisedime me disa skuadra, por ende nuk ka asgjë zyrtare. Jam i përqendruar te ndeshjet me Kombëtaren dhe më pas do të vendosim”, deklaroi Hysaj.

Në lidhje me një rikthim të mundshëm në kampionatin shqiptar, mbrojtësi shkodran tha se aktualisht nuk e konsideron si momentin e duhur.

“Me gjithë respektin që kam për kampionatin shqiptar, këtë kohë e kam ndjekur me të vërtetë, sepse është hera e parë që jam në Shqipëri dhe u stërvita me Vllazninë. Është një kampionat i mirë, por besoj që nuk është akoma momenti im që të rikthehem në Shqipëri”, përfundoi Hysaj.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›