Maran: Finlanda, kundërshtar i vështirë, duhet të japim më shumë se 100%

TIRANË, 2 tetor/ATSH/ Kombëtarja shqiptare do të përballet nesër me Finlandën, në ndeshjen e tretë të grupit C1 të UEFA Nations League.
Në prag të kësaj sfide, trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, dhe mbrojtësi Elseid Hysaj dolën në konferencën për media në “Helsinki Olympic Stadium”, stadiumin ku do të zhvillohet edhe ndeshja.
Maran e vlerësoi Finlandën si një skuadër të organizuar dhe të vështirë për t’u përballur, duke theksuar se kuqezinjtë duhet të japin maksimumin për të qenë konkurrues në grup.
Duke krahasuar Finlandën me Bjellorusinë, Maran tha se të dyja skuadrat kanë sisteme të ndryshme loje, por janë të organizuara dhe dinë të bllokojnë hapësirat.
“Janë dy skuadra me sisteme të ndryshme loje, por të dyja janë të organizuara. Finlanda është një skuadër mjaft e vështirë për t’u përballur. Ngjajnë disi për sa i përket pozicionimit në fushë, pasi të dyja bllokojnë hapësirat që mund të krijosh si kundërshtar”, u shpreh ai.
I pyetur për mundësinë që Mario Mitaj dhe Stavro Pilo të luajnë së bashku në krahun e majtë, trajneri italian vuri në dukje karakteristikat e ndryshme të dy lojtarëve.
“Mario Mitaj dhe Stavro Pilo kanë role dhe karakteristika të ndryshme. Mund të plotësojnë njëri-tjetrin, por mund të luajë edhe vetëm njëri titullar, siç ka ndodhur deri tani”, tha Maran.
Në lidhje me kontributin që mund të japin lojtarët e grumbulluar, trajneri theksoi nevojën për angazhim maksimal nga e gjithë skuadra.
“Që ne të jemi kompetitivë, konkurrues në grup, duhet të shtyjmë pak më tepër, që të gjithë lojtarët të japim më shumë se 100% të tyre. Jemi me fat që kemi lojtarë me këto cilësi dhe karakteristika që mund të na shërbejnë për të gjithë skuadrën”, deklaroi Maran.
Sa i përket Sabah Kerjotës, Maran shpjegoi se grumbullimi i disa lojtarëve më shumë ka shërbyer edhe për t’i njohur më nga afër.
“Praktikisht kam grumbulluar disa lojtarë më shumë, duke qenë se ishin katër ndeshje. Sigurisht edhe për t’i njohur më afër secilin. Thjesht nuk ka qenë momenti për t’u inkuadruar me skuadrën, por sigurisht në të ardhmen mund të jetë”, u shpreh trajneri i Kombëtares.
/gj.m/r.e/a.f/