Hyseni: Kosova në Çeki, u përfaqësua si shtet i pavarur

Kosova është përfaqësuar si shtet i pavarur dhe sovran në takimin joformal të ministrave të punëve të jashtme të Bashkimit Evropian, në Hluboka nad Vltavou të Çekisë, ka thënë shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, pas kthimit të tij në Prishtinë. Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës ka thënë se, shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannier në këtë takim ka marrë pjesë në "cilësinë e vëzhguesit", ndërsa ka shtuar se Kosovës i është hapur rruga për të qenë pjesë e procesit të stabilizim-asocimit. Hyseni po ashtu ka shpjeguar se, Kosova pritet të jetë pjesë e shteteve që do të përfitojnë nga lehtësimi i vizave, ndërsa ka bërë të ditur se pasaportën e Kosovës shumë shpejt do ta njohë edhe Bosnje-Hercegovina.