Hysni Burgaj pyetet në SPAK, ish-drejtori i Policisë dëshmon për 21 janarin: Zbatova ligjin

Hysni Burgaj ishte ish-zyrtari i lartë i radhës që pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme u mor në pyetje paraditen e kësaj të mërkure në lidhje me dosjen e bujshme të 21 janarit. Burgaj ka dhënë dëshminë e tij përpara prokurorëve të SPAK-ut në cilësinë e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë më 21 janar të 2011, ku u vranë 4 protestues përpara kryeministrisë.
Burgaj, në atë kohë u akuzua nga opozita se nuk zbatoi urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria. Lidhur me këtë pretendim, ai tha se është vepruar konform ligjeve dhe se policia në atë kohë nuk kishte marrë asnjë urdhër për të reaguar.
“Dhashë sqarime si person qe ka dijeni. Kam zbatuar ligjin. I kam zbatuar urdhër-arrestet. Asnjë urdhër nuk kemi patur për të reaguar. Policia si asnjëherë tjetër në gjithë historinë e saj ka duruar dhunë në ekstrem dhe nuk ka përdorur as armë dhe as dhunë ndaj protestuesve”, tha Burgaj.
Dosja e 21 janarit po hetohet nga struktura e posaçme, pas vendimit të gjykatës së Strasburgut e cila cilësoi se vrasja e 4 protestuesve ishte krim shtetëror.
Ndërkohë që familjarët e të ndjerit Aleks Nika, vrasje e të cilit ka mbetur ende pa autor, kanë dorëzuar dhe një audiopërgjim përpara pak ditësh ku pretendojnë se urdhri për të qëlluar me armë zjarri ndaj qytetarëve është dhënë nga Garda e Republikës. Në dëshminë e tyre ata kanë bërë fajtor të drejtpërdrejtë jo vetëm krerët e gardës, por edhe ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Lulzim Bashën, i cili në atë kohë drejtonte Ministrinë e Brendshme. /vizionplus.tv