E Diel, 1 Nëntor 2026

Hysni Zeqiri, sjell edhe me një “single”

Këngëtari Hysni Zeqiri ka sjellë edhe një këngë të re, kësaj radhe në bashkëpunim me kompozitorin Ilir Tolaj. Tekstin e kësaj kënge e ka shkruar Big Basta.

Këngëtari Hysni Zeqiri, i cili veprimtarinë e tij muzikore e bën në Zvicër, por tani edhe në Kosovë, sapo ka lansuar “singlin” e tij të ri të quajtur “Shuaje këtë zjarr”.

Këngëtari në këtë këngë, që është produksion i Ilir Tolajt dhe test të Big Bastës, është në vazhdën e bashkëpunimeve të këngëtarit me kompozitorin Tolaj.

“Në këtë këngë luan në kitarë edhe Ilir Tolaj, që do të thotë se është edhe një këngë bashkëpunimi me të, pos si autor”, thotë Hysniu për Express.

Këngës i është realizuar edhe videoklipi i saj dhe ajo është një këngë me ritme verore.

“Për videon e këngës kemi punuar me Max Produksion dhe jemi të kënaqur me punën që është bërë. Duhet theksuar që këngët verore janë pak më të thjeshta edhe në video, gjë që te baladat është mundësi më e madhe për të bërë një fabul”, thotë këngëtari.

Përndryshe, kënga e re e Zeqirit vjen pas këngës “Pranë saj”, që ai e kishte realizuar në muajin maj, së cilës këngë ia kishte bërë edhe videoklipin.

Edhe kënga e re është në vazhdën e stilit të Hysniut që është një stil pop i përzier me muzikë etno, që e ka specialitet edhe kompozitori i këngëtarit, Ilir Tolaj.

“Kemi investuar shumë kohë, por edhe mund ketë vlera”, kishte thënë Hysniu në një intervistë të mëhershme për Express.

Këtë këngë ai e kishte premtuar edhe më parë, përderisa kishte thënë se nuk do të bëjë këngë “shund dhe kiç”.

“Ka ikur koha e albumeve, derisa këngëtari e bën Albumin, publiku e ka në veturë e në shtëpi atë, pasi që e ka shkarkuar nga interneti. Mendoj që më së miri është të bëhet këngë dhe video, të punohet ndershëm e të tregohet që përpos që dimë të bëjmë kualitet, kemi edhe dëgjues që dinë dhe e duan muzikën e mirëfilltë”, kishte dhënë ai opinionin e tij për albumet më parë këngëtari.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›