Piperno fiton çmimin ‘Strega’

I lindur në Romë më 25 mars të vitit 1972. Babai hebre, ndërsa nëna katolike. I diplomuar për Letërsi Moderne në kryeqyetin Italian (Romë) ku më pas ka qenë edhe profesor. Ka botuar esenë kritike ‘Prusti antihebre’ në vitin 2000, ndërsa në vitin 2005 ka botuar romanin e tij të parë, ‘Me synimet më të këqija’, me rreth 20 mijë kopje të shitura.
Një roman që ka marrë çmimin ‘Viareggio’ dhe çmimin ‘Kampiello’. Ndërkaq në jetën e tij shquhet edhe si kitarist, solist por edhe si këngëtar. Ky është fituesi i çmimit ‘Strega 2012’, Alessandro Piperno me librin e tij ‘Të pandarët’ të botuar nga shtëpia botuese Mondadori. Një roman në të cilin flitet për dy vëllezërit Pontekorvo (Filippo dhe Samuel). Si dy papagaj që nuk dinë të jetojnë nëse nuk janë bashkë. Dy tipa të ndryshëm, njëri që shkon pas grave, ushqimit të zgjedhur ndërsa tjetri i shkëlqyer në studime që ecën përpara në karrierrën e tij në botën financiare. Por ndërkaq ndodh diçka.
Filippo shndërrohet dhe bëhet i famshëm ndërsa vëllai i tij Samuel kalon në krizë. Një sagë familjare në një roman të fuqishëm dhe plot humanizëm. Shkrimtari përgjatë romanit insiston në karakteret e personazheve. Në këtë roman flitet shumë për temën sukses/humbje. Vetë autori rrëfen: “Më ka ndodhur që në ambientet letrare të takoj persona, miq të cilët kanë pasur një sukses të jashtëzakonshëm ose një humbje po aq të madhe dhe kam parë se në të dyja rastet këta persona janë shkatërruar. Më duket diçka shumë bashkëkohore, por edhe shumë klasike e lidhur me narrativën”.
Një rol të veçantë në romanin e Alesandro Pipernos ka edhe media sepse është media ajo që dekreton suksesin e Filipos e njëta media që vite më parë kishte masakruar familjen Pontekorvo. Kritika italiane ka theksuar se Piperno ravijëzon personazhet me shumë humanitet, duke shfaqur me kurajo personalitetin e tyre, duke u hequr maskën. Ky roman ka një forcë të jashtëzakonshme narrative, dhe ka një rol themelor kur zgjidh nyjën e lënë pezull që në librat e pare të shkrimtarit. Historia e një familje që luan deri në fund me dashurinë, me zinë, vetminë dhe mllefin. Një roman i shpejtë dhe i dhimshëm i komedisë sonë njerëzore.
Një roman që ka lidhje me romanet që autori ka botuar përpara këtij romani të jashtëzakonshëm por që mund të lexohet lehtë edhe si një roman më vete. Alessandro Piperno ka fituar vetëm me dy vota më tepër se rivali i tij më i afërt për çmimin Strega. Gjithsej 126 vota për shkrimtarin roman, në vend të dytë Emanuele Trevi (124 vota) me librin ‘Diçka e shkruajtur’ ndërsa në vendin e tretë Xhanriko Karofiljo me librin e tij ‘Qetësia e valës’ me 119 vota. “Ishte një garë e fortë dhe pastër” – është shprehur shkrimtari Alessandro Piperno pas fitores së tij.
Çmimi Strega ka lindur në shtëpinë Bellonci në vitin 1947 dhe themelues të këtij çmimi janë Maria Bellonci dhe Guido Alberti. Është një çmim që i jepet librave në prozë dhe veçanërisht për autorët italianë. Votues të këtij çmimi të madh italian janë Miqtë e së dielës, një Juri që përbëhet nga 400 persona të kulturës italiane. Ka dy votime, njëri që kryhet në qershor dhe tjetri ne ditët e para të korrikut.