E Martë, 3 Nëntor 2026

I Ngarkuarin me Punë i Ambasadës së SHBA pritet nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Të përkushtuar për të adresuar sfidat urgjente

Bordi i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë ka zhvilluar sot një takim me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, z. David Wisner dhe znj. Allison Dyess, Shefe e Seksionit Politik dhe Ekonomik.

Sipas njoftimit në rrjetin social, Këshilli i Ambasadorëve ka ritheksuar rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe si dhe kanë diskutuar përpjekjet e ardhshme për forcimin e partneritetit strategjik, veçanërisht në funksion të zhvillimeve shqetësuese globale.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të adresuar sfidat urgjente në fushat që lidhen me sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, forcimin e institucioneve demokratike, duke përfshirë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si fusha themelore të reformës në axhendën tonë të anëtarësimit në BE”, shkruhet në njoftim.

Misioni i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë është të mbështesë Politikën e Jashtme Kombëtare Shqiptare në emër të interesave të kombit në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›