I arrestuar në Londër për trafik droge dhe pastrim parash, prokuroria e Kukësit i konfiskon pasuritë

Prokuroria e Kukësit ka bërë të ditur se janë konfiskuar pasuritë e familjarëve të shtetasit F.D. i arrestuar në Londër për ‘trafik droge’ e ‘pastrim parash’
“Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës u konfiskuan pasuritë e familjarëve të shtetasit F.D. nën akuzë për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas prokurorisë, ky shtetas, i arrestuar nga policia Metropolitane e Londrës për veprën penale të “Vrasjes mbetur në tentativë”, ka qenë në hetim edhe nga Agjencia Kombëtare kundër Krimeve në Angli për veprën penale “Trafik droge” dhe “Pastrim parash”.
“Pas sekuestrimit të pasurisë për shtetasin në fjalë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, konfiskoi pasuritë e mëposhtme: – Pasuria e llojit “Njësi” me sip. 100m2; – Pasuria e llojit “Truall” me sip. 64m2 dhe “ndërtesë” 64m2; si dhe Pasuria nr. 7/285-N3, me sipërfaqe 30m2”, thekson më tej në njoftimin e saj prokuroria e Kukësit.
/rtsh.al/