I ati i mëson historinë e dashurisë, hidhet nga kati i tretë i komisariatit të policisë
Një histori dashurie, për fat, nuk ka përfunduar në një tragjedi në qytetin e Kukësit.
Ndërsa familjarët dyshonin se vajza ishte e rrëmbyer dhe kanë denoncuar zhdukjen e saj, vajza nga qyteti i Tropojës duket se po përjetonte historinë më të bukur të jetës së saj.
Por kur marrëdhënia e saj është zbuluar, vajza ka tentuar ti japë fund jetës duke u hedhur nga kati i tretë i komisariatit të qytetit të Kukësit.
Ndërsa 20 vjeçarja me inicialet A.C është jashtë rrezikut për jetën, drejtoria e policisë së qytetit të Kukësit ka vendosur pezullimin nga detyra të dy oficerëve, të cilët po merrnin në pyetje vajzën në momentin që është hedhur nga dritarja e komisariatit.
Historia
Tre ditë më parë, Hysni C, nga qyteti i Tropojës ka denoncuar në policinë e Kukësit zhdukjen e vajzës së tij.
60 vjeçari dyshonte se e bija, studente në vitin e dytë për infermieri është rrëmbyer.
Ai kërkoi ndihmën e uniformave blu për gjetjen dhe rikthimin e vajzës në shtëpi.
Por në fakt, ajo që babai pretendonte që ishte një histori dhunimi, duket se ka qenë historia më e bukur e dashurisë për studenten e vitit të dytë.
Pasi vajza është identifikuar dhe gjetur nga policia, ka dëshmuar për oficerët e policisë se ajo nuk është rrëmbyer, por se thjesht jetonte me të dashurin e saj, që është banor i qytetit të Kukësit.
Por kur policia mendonte se e kishte sqaruar krejtësisht situatën, ndodh dhe ngjarja fatale.
20-vjeçarja, e thirrur për të dhënë deklarim mbi zhdukjen e pretenduar nga babai i saj, është vetëhedhur nga dritarja e komisariatit të policisë së Kukësit.
Gjatë marrjes në pyetje nga dy efektiva të policisë dhe në prani edhe të një psikologeje, 20-vjeçarja në momente depresioni, pasi ka pranuar se ishte larguar me një djalë, është hedhur nga dritarja e zyrës, e cila ndodhet në katin e tretë të komisariatit të Kukësit.
Vajza ka shfrytëzuar pakujdesinë e dy oficerëve të policisë, pasi u ka kërkuar atyre disa minuta për tu qetësuar, dhe është hedhur nga dritarja.
20 vjeçarja është dërguar menjëherë në spitalin rajonal dhe mësohet se gjendja e saj është jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga policia e Kuksit bëjnë të ditur se vajza ka pranuar të dëshmojë historinë e dashurisë së saj me kuksianin duke përjashtuar çdo mundësi të rrëmbimit me dhunë.
Por, me sa duket, fakti që kishte një lidhje dashurie, dhe se kjo është mësuar nga prindërit e saj, ka qenë shokues për tropojanen.
Megjithatë, zyrtarisht policia e Kukësit deklaron se po heton për shkaqet e plota të incidentit.
Ajo bën me dije se ndaj dy efektivëve, të cilët e morën në pyetje vajzën, është marrë masa e pezullimit deri në sqarimin e plotë të ngjarjes.
