I dashur dhe i urryer
Sa ishte gjallë, qe i famshëm dhe i urryer. Sot, Pasolini po bëhet më popullor, thotë Roberto Chiesi, përgjegjësi i Qendrës së Studimeve në Arkivin Pasolini, Kinoteka e Bolonjës
Prezantimi i parë zyrtar që iu bë këto dy ditë në Tiranë Pier Paolo Pasolinit, nuk ishte ai që pritej, si nga organizatorët, po edhe nga prania e pakët, indiferenca e publikut dhe jo publikut të teatrit, kinemasë dhe poezisë, arte që Pasoloni i lëvroi me të njëjtin ankth. Ekspozita me fotot e nxjerra nga xhirimet e "Ungjillit sipas Mateut", përgatitur nga Kinoteka e Bolonjës, nuk u realizua "për arsye teknike".
Kurse konferenca "Pier Paolo Pasolini poeti i hirit" e përgjegjësit të Qendrës së Studimeve në Arkivin Pasolini, Kinoteka e Bolonjës, Roberto Chiesi, u ndoq vetëm nga punonjësit e Bibliotekës Kombëtare. Megjithatë, Chiesi derdhi dje gjithë dijen e mundshme si kritik kinemaje dhe si ai që ndjek prej vitesh gjurmët e njeriut të dashur edhe pse nuk jeton më.
Me këtë titull, Chiesi i referohet një poeme që Pasolini shkroi pesë vjet para vdekjes, po edhe përmbledhjes poetike "Le ceneri di Gramsci". Në thelb ai është poet i hirit dhe hiri i përket një bote që ka qenë dikur, i përket tokës dhe njerëzve që kanë përfaqësuar një kulturë të tërë, një mënyrë të të qenit njerëz.
Bëhet i ankthshëm dhe i dhimbet Italia që në vitet '60-'70-të, kohë që përkon me pjekurinë e krijimtarisë së tij në disa arte, ka hyrë në një proces transformimi të menjëhershëm, një kapërcim që djeg etapa, fshin me egërsi ato që ishin forma paraardhëse të një mënyre jetese, të një kulture fshatare, dhe shpie vendin drejt një neokapitalizmi, e pajis me aftësitë e konsumatorit drejt një zhvillimi pa progres.
Zëdhënës i "atdheut të tij" Friuli, Pasolini shfrytëzon gjuhën e vendasve që s'kishin një identitet kulturor, por kishin inteligjencën e natyrës, e tokës, qiellit, e instinkteve arkaike. Kazarsa, vendi i së ëmës, Suzana, ishte një kampion i kësaj bote, prezencën e së cilës Pasolini nuk e shmang pothuajse kurrë në veprën e tij.
Largimi në Romë - shkak u bë edhe homoseksualiteti, për të cilin u luftua si nga kundërshtarët politikë, edhe nga të vetët, socialistë e komunistë - sukseset letrare me romanet "Ragazzi di vita" dhe "Una vita violenta", shënojnë fazën e utopisë, e besimit se Italia do të bëhet një vend i civilizuar.
Me pesimizmin e tij të rëndë e të zi, por pesimizëm vital, siç e thekson Chiesi në këtë intervistë, Pasolini përballoi drejtpërdrejt si polemist në "Corriere della Sera", realitetin e viteve të fundit para se ta vrisnin (masakronin).
Ky pesimizëm kritik e bën të padëshirueshëm, të bezdisur për optimistët falsë të botës moderne, të këtij populli shërbëtorësh (shkruan ai diku).
Sa ishte gjallë, qe i famshëm dhe i urryer. Sot, Pasolini po bëhet më popullor, thotë Chiesi.
Falë frymës kritike që ai kultivoi si poet, do shtonte dje aktori Antonio Piovanelli, që interpretoi në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar një autobiografi në vargje të poetit, regjisorit, gazetarit, estetit, të quajtur "Pasioni Pasolini".
Janë vargje që i kushtohen rinisë, njeriut të njëherë e njëkohe, dëshirës së vluar për ta parë në harmoni me botën moderne, por jo konform saj, poezi politike dhe këngë kushtuar atdheut të shitur provincial tek fetë e reja, pushteti politik, industria.
Ishin takimi i parë që publiku ynë pati me këtë autor që nuk ka ndonjë varg të përkthyer në shqip.
Nuk ka dëshpërim pa shpresë..., mbaj mend se qe për dashurinë..., djalosh i shtrirë në bar buzë lumit, me të diela të harruara, me kanotiere të bardhë, shtrëngon mes duarve seksin e ngrohtë
- Seksi, ngushëllim i vuajtjes - aromë lulesh, nënash të poshtëruara, të ashpra, e që do të jepnin gjithçka për t'i dashur me të njëjtën forcë siç ato duan... dritë e një kohe që po lind / drita e atij që nuk e di ç'është. Do duhet kohë që shenjat e këtyre vargjeve t'i prekim prapë si dje.
Bolonja, Friuli dhe Kazarsa. Cilat ishin ndikimet e vendeve ku Pasolini u lind, u formua dhe jetoi gjatë.
Bolonja është jo vetëm vendi i lindjes, por aty ndoqi edhe fakultetin. Është qyteti ku njohu ata që qenë miqtë e tij për gjithë jetën, shkrimtarë si Francesco Leonetti, Roberto Roversi.
Me këta miq të viteve dyzetë krijoi një shoqatë letrare dhe me të tjerë si Fabio Mauri, Luciano Serra, Franco Farrolfi, në vitet pesëdhjetë, themeloi revistën letrare "Officina". Ishte një moment i rëndësishëm për Pasolinin kjo revistë, marksiste për nga inspirimi, por heterogjene në përmbajtje.
Ishte me peshë për debatin letrar. Më pas, me Roversin dhe Leonettin, Pasolini do të ruante raporte deri në fund. Bolonja ishte qytet me rëndësi për leximet e tij, për kontaktet me letërsinë.
Ai tregon se aty ka blerë librat e parë kur ishte adoleshent, nën portikun e vdekjes ku ndodhej një librari, madje ekziston akoma. Por, vendi që e frymëzoi si poet, është pa dyshim Kazarsa, Friuli.
Nga vendet e vogla, lokale, tek bota e madhe, e unifikuar, e sheshtë, bota pjatë, moderne që ka rrezikuar individin dhe dhuntitë e tij individuale. Kjo që sot thirret globalizëm, e gjejmë tek Pasolini si fenomen të homoligacionit, thoni ju. Ku duket qartë mendimi i tij për këtë fenomen?
Ai nisi të flasë për fundin e botës fshatare dhe masivizimin e botës në fund të viteve gjashtëdhjetë, në kulmin e bumit ekonomik. Megjithatë, për këtë fenomen ai flet vërtet në fillim të viteve shtatëdhjetë. Në një hark kohor prej dhjetë vjetësh ka një pjekuri të këtyre koncepteve. Pasolini flet shpesh në artikujt e tij, por temë qendrore kjo bëhet në analizat e tij të viteve '72-'73, sidomos kur shkruan për "Corriere della Sera". Pothuajse çdo aspekt i shoqërisë që ai merr në analizë, shqyrtohet nga kjo perspektivë.
Dhe ju thatë se edhe tek "Salo...", ai trajton këtë shqetësim...
Po, në mënyrë të tërthortë. "Salo..." mund të shihet edhe si metaforë e madhe e së tashmes, sepse aty ka një histori që rrëfehet në mënyrë të nëndheshme, dhe filmi mund të shihet si historia e një procesi pervers pedagogjik, në kuptimin që ndërmjet atyre të rinjve që seleksionohen për t'u shfrytëzuar për orgji të ndryshme, ka disa të cilët në fund i vrasin, sepse nuk janë bindur, ka të tjerë që përkundrazi, pak nga pak integrohen që edhe ata të bëhen xhelatë.
Por, filmi mes rreshtave tregon se ekziston ky proces i homoligacionit, sigurisht i evokuar në mënyrë metaforike.
Sot këtu pritej ekspozita me imazhe nga filmi "Ungjilli sipas Mateut".
Fatkeqësisht për arsye teknike nuk u bë e mundur.
Përse donit të ekspozonit fotot e këtij filmi?
Sepse kemi pothuajse gjithë fotot e punës së këtij filmi dhe sepse është një film me rëndësi në veprën e Pasolinit. Kemi gjithë dokumentacionin fotografik, prandaj.
Është një film, imazhi i të cilit tregon qartë ndikimin nga piktura e katërqindës...
Piktura është një nga elementët që neutralizon frymëzimin e Pasolinit, sidomos piktura e Masaccio-s, Masolino-s, Giotto-s, por edhe e Piero della Francesca-s.
Tek "Ungjilli sipas Mateut" ka referenca të qarta nga piktura e Piero della Francesca, sidomos po të vësh re veshjet e farisejve dhe të priftërinjve që janë shumë të ngjashme me ato të "La leggenda della vera croce" të Piero della Francesca. Por, natyrisht, kjo ishte një influencë që ai e përpunonte.
Ju kur e keni njohur?
Qysh fëmijë. I pari film që kam parë prej tij është "Ucellaci e ucellini". Kam mbetur i shokuar dhe i habitur. U bë kohë që e studioj Pasolinin dhe është e vështirë të them se cila është gjëja që pëlqej më shumë nga tërë vepra e tij. Pëlqej shumë "La nuova gioventu", përmbledhja e fundit me poezi që ai botoi dhe që përmban edhe poezitë e rinisë së hershme.
Dhe ku ka bërë atë operacion me gjuhën, për të cilin folët pak më parë...
Po, po. Libri është i ndarë më dysh: libri i shkruar në rini dhe i dyti, i cili kthen përmbys kuptimin e të parit.
Është një operacion i jashtëzakonshëm. Nga kinemaja pëlqej shumë filmat e tij të parë: "Accattone", "La ricotta", "Edipi mbret", por edhe "Lulja e njëmijë e një netëve", "Salo", kështu i bie që i dua pothuajse të gjithë.
Pasoloni është më popullor sot se kur ishte gjallë, si shpjegohet?
Kur ishte gjallë ishte i famshëm shumë, po dhe shumë i urryer. Kurse tani ka më shumë që e duan se sa e urrejnë. Urrehet më pak. Ndoshta ngaqë sot duket se po kuptohet më mirë vlera e atyre që thoshte, ka nostalgji për një figurë të tillë, që gjithnjë shprehej me sinqeritet maksimal dhe në të njëjtën kohë ishte kaq pak italian dhe kaq shumë i lidhur me vendin e tij.
Pasolini ishte shumë i lidhur me Italinë, dhe ai vuante kur e shihte që po degjeneronte. Prandaj e duan më shumë sot, vepra e tij është një kontrapunkt me degjenerimin e vendit.
Është një filozofi pesimiste ajo e tij, apo një kërkim i thellë dhe i pashmangshëm për të njohur kush është njeriu?
Mendoj se është një pesimizëm shumë vital. Një nga poezitë më të famshme të tij quhet "Disperata vitalita". Ka një pesimizëm shumë të fortë, të rëndë, por gjithnjë ka aty edhe një vullnet për të mos u dorëzuar. Pasolini ishte një njeri që nuk hiqte dorë. Kishte vullnetin për të luftuar. Sigurisht, pesimizmi i tij në vitet e fundit ishte bërë pothuajse i zi.
Këto dy ditë, fjala i parehatshëm, ka qenë fjalë kyçe e përdorur për të dhe veprën e tij...
Sepse ishte një njeri që trondiste gjithçka që ishte e sigurt dhe konvencionale. Po edhe sot, ai akoma është i pavolitshëm, sepse disa aspekte të veprës së Pasolinit janë disi të anatemuara, ngaqë janë të vështira për t'u pranuar.
Por, mbi të gjitha, ishte i pavolitshëm, sepse në plan të parë vendoste ekzistencën e atyre që nuk kanë asgjë, që nuk janë argument, që shkatërrojnë hipokrizinë. Pasolini flet për njerëz të lënë mënjanë, por nuk i trajton ata me të mirë, i jepte ashtu siç ishin. Njerëzit e periferive të tij ishin edhe vrasës, edhe kriminelë dhe ai nuk e fshihte realitetin, e paraqiste me gjithë kontradiktat.
Pastaj kritikonte dhe godiste borgjezinë e vogël italiane, e urrente këtë borgjezi, e cila tashmë kishte mbushur gjithë Italinë: borgjezi e vogël ishte bërë gjithë Italia. Kurse tani borgjezia e vogël e ka vendosur Pasolinin tek shenjtët e saj. Popullariteti i madh i Pasolinit i detyrohet edhe faktit që shumë njerëz e kanë transformuar në një shenjt.
Natyrisht që Pasolini ishte i parehatshëm edhe për homoseksualitetin e tij. Liberalizimi i madh seksual që ndodhi në Itali në vitet '70-të, u pa si një fenomen pozitiv, kurse Pasolini, përkundrazi, e konsideronte një fenomen tepër negativ.
Ky është një argument i vështirë për t'u pranuar, sepse Pasolini kritikon nga ana tjetër e modelit të dhënë nga çiftet. Por ka shumë aspekte, për të cilat ai kishte të drejtë.
Në thelb ai ishte kundër të gjithë konformizmave. Madje ai ishte jokomod edhe për homoseksualët vetë, sepse asnjëherë nuk do të pranonte të bëhej zëdhënës i tyre. Po të bëhej, atëherë edhe ky do të ishte një konformizëm. Ai do të ishte kundër lëvizjeve gay, nuk do t'i kishte pranuar kurrë, sepse në thelb edhe ato lëvizje janë forma konformizmi.
Si përfaqësues i arkivit të Pasolinit në Bolonja, çfarë po përgatisni ndonjë gjë interesante për të ardhmen?
Sapo kemi mbaruar dy punë. E para është "La Rabbia", për të cilën kemi bashkëpunuar me Giuseppe Bertolucci-n, për rikonstruksionin e këtij filmi në versionin origjinal.
Rezultati i kësaj pune është që ky film ka dalë në kinematë italiane dhe e gjen edhe në DVD.
Paralelisht kemi botuar librin me tekstin origjinal shkruar nga Pasolini, të "La rabbia"-s, botuar nga ne, Kinoteka e Bolonjës. Kemi kuruar në DVD edhe një film ndër më pak të njohurit e tij, "Appunti per un'Orestiade africana". Filmi është restauruar nga ne.
Plus një seri intervistash dhe një libër që përmban tekste të ndryshme për filmat e Pasolinit. Puna jonë është e përqendruar kryesisht te filmat, për të përmirësuar sa më shumë të jetë e mundur gjendjen e tyre dhe në format më besnike me origjinalin.