E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnjë, pranga 4 zyrtarëve të Hipotekës

OPERACIONI/ Policia ka ndaluar edhe zv.regjistruesin e Hipotekës, Agim Kojkun, për abuzimet me pronat

Sipas bluve, hetimi ka nisur pas disa denoncimeve për tjetërsimin e pronësisë nga ana e të ndaluarve

LUSHNJË - Vihen në pranga katër zyrtarë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në rrethin e Lushnjës, ndërsa akuzohen se kanë abuzuar duke tjetërsuar prona të ndryshme.

Arrestimi i tyre është bërë në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës, ndërsa mësohet se ndër ta është edhe zv.regjitruesi i Hipotekës së rrethit. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se akuzat e ngritura ndaj katër zyrtarëve janë "shpërdorim detyre" dhe "falsifikim të dokumenteve me qëllim tjetërsimin e pronave", ndërsa hetimi për ta nisi pas disa denoncimeve të kryera.


Të arrestuarit


Në orët e vona të së mërkurës, policia ka vënë në pranga Agim Kojkun, 37 vjeç, banues në fshatin Plug të Lushnjës, me detyrë zëvendësregjistrues në Hipotekën Lushnjë; Servet Musakun, 59 vjeç, banues në Lushnjë me profesion topograf, me detyrë hartografist në këtë zyrë; Agim Prendin, 45 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë.

Për të tre këta persona është prerë fletë-arresti. Ndërkohë, mësohet se për të katërtin, shtetasin Neshat Zeneli, 47 vjeç, banues në Lushnjë me profesion topograf i licencuar, është dhënë masa "arrest në shtëpi".


Akuzat


Lajmin për arrestimin e katër zyrtarëve të hipotekës e konfirmojnë burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, të cilat shprehen se prej kohësh katër personat ishin nën hetim.

Shkak për mbajtjen nën vëzhgim të tyre kanë qenë rastet e shumta të denoncimeve të ardhura në prokurori nga persona të ndryshëm. Kështu, prej rreth një muaji, pak kohë pas marrjes së dëshmive nga kallëzuesit, është vendosur mbajtja nën hetimet nga strukturat e policisë e katër të denoncuarve.

Si rrjedhojë, është arritur të provohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kanë falsifikuar dokumente të ndryshme duket tjetërsuar pronat e duke shpërdoruar kështu detyrën.

Sipas burimeve të policisë së qarkut, një familje ka bërë një kallëzim se prona e tyre është tjetërsuar nga zyrtarë të hipotekës duke ua shitur atë pronarëve të tjerë. Po kështu, dy kallëzime të tjera janë bërë po për të njëjtën gjë, çka ka çuar edhe në kryerjen e disa verifikimeve.

Drejtori i policisë së qarkut të Fierit, Shemsi Prençi, u shpreh se shkeljet e kryera nga katër personat e prangosur janë konstatuar edhe nga kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë kontrollit më të fundit të kryer në hipotekën e Lushnjës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›