E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dehuri plagos djalin e zv/ministrit dhe mbesën

Armand Dervishi, 35 vjç qëlloi me armë zjarri drejt lokalit të vëllait të zv/ ministrit të Kulturës duke shkaktuar edhe dëme materiale


Autori i dyshuar i krimit, kushëri me të dëmtuarit, u përzu nga pronarët e lokalit pasi ishte i dehur

I dehuri plagos djalin e zv/ministrit të Kulturës, mbesën e tij si dhe shkatërron lokalin në pronësi të vëllait të zv/ ministrit të Kulturës Dashnor Bajaziti. Autori i ngjarjes, një ditë pas krimit, u vetëdorëzua në Komisariatin e Policisë nr.2, në kryeqytet të cilët i vunë prangat dhe menjëherë e nisën në drejtim të Kavajës, ku edhe iu komunikua akuza e vrasjes në rrethana cilësuese me pasojë plagosjen e dy personave si dhe të shkatërrimit të pronës.


Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në Kavajë, kur kushëriri i Bajazitit, Armand Dervishi, 35 vjç, në gjendje të dehur, qëlloi me armë zjarri në drejtim të lokalit të vëllait funksionarit të lartë, duke lënë aty dy të plagosur. Lajmi u konfirmua zyrtarisht dje nga Policia e kryeqytetit në një njoftim zyrtar, sipas të cilit Darlien Bajaziti djali i numrit dy të dikasterit të Kulturës mbeti i plagosur bashkë me M. Bajazitin, 13 vjçe, vajza e vëllait të zëvendësministrit.


Krimi


Shkak për ngjarjen sipas burimeve të policisë kishte shërbyer fakti që Dervishi ishte përzënë nga lokali i kushërinjve të tij, për shkak se kishte qenë në gjendje të dehur. Pas debatit me vëllain e zv/ministrit të Kulturës, njëkohësisht pronar i lokalit, kushëriri i Bajazitëve është larguar që aty duke i komunikuar atij se ishte i dehur. I fyer dhe i ofenduar nga veprimi i kushërinjve të tij, Dervishi, mori një armë në shtëpinë e tij dhe nisi të qëllonte në drejtim të lokalit të Bajazitëve, duke shkaktuar thyerjen e xhamave të lokalit.


Por nga të shtënat mbetën të plagosur edhe Darlien Bajaziti, 16 vjç, djali i funksionarit të lartë të Kulturës, Dashanor Bajaziti, si dhe vajza e vëllait të këtij të fundit. Për fatin e tyre, të dy të dëmtuarit nuk patën probleme serioze për jetën, ndërsa morën edhe mjekimin përkatës në spital. Pas hetimit të kryer, policia identifikoi autorin e dyshuar të krimit, duke e shpallur në kërkim, ndërsa të dielën ai u dorëzua vetë në polici, pasi i kishte dalë pija.


Blutë arrestuan Dervishin, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë në rrethana cilësuese me pasojë plagosjen e dy personave si dhe të shkatërrimit të pronës, veprime të kryera sipas policisë në gjendje të dehur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›