Mosrespektimi i semaforit, një i vdekur 4 të plagosur

Nënkampioni i Evropës në peshëngritje është në spital. 17-vjeçari ishte në timonin e njërit prej automjeteve
ELBASAN - Një aksident është regjistuar në qendër të qytetit të Elbasanit pas mesnate me pasojë një të vdekur dhe katër të plagosur. Përplasja fatale është regjistruar reth orës 02:00 të mëngjesit, në kryqëzimin "Dinamo" përgjatë bulevardit "Qemal Stafa" të qytetit të Elbasanit.
Mjeti tip "Golf" me targa të huaja C 652 IT, i drejtuar nga 17-vjeçari, nënkampioni i Evropës në peshëngritje, Hysen Pulaku, është përplasur me një mjet tjetër po me targa të huaja BF 541 YA ku ndodheshin 4 vetë.
Në aksident ka mbetur i vdekur pasagjeri që ndodhej në vendin e pare, shtetasi Thanas Koçi, 56 vjeç, ndërsa janë plagosur Bedri e Anila Venari, burrë e grua, përkatësisht 50 dhe 39 vjeç dhe djali i tyre 5-vjeçar. I plagosur rëndë në aksident ka mbetur dhe Hysen Pulaku, 17 vjeç, peshëngritësi i Sport Klub Elbasanit duke drejtuar mjetin tip "Golf".
Të dëmtuarit janë dërguar në spitalin kirurgjik të Elbasanit ku kanë marrë mjekimet e para. Mjekët u shprehën se edhe tre të plagosurit e tjerë, anëtarë të një familjeje, kanë pësuar dëmtime të rënda, por janë jashtë rrezikut për jetën.
Përplasja e automjeteve ka qenë mjaft e rëndë dhe për adoleshentin peshëngritës. Mjekët kanë thënë se 17-vjeçari ka pasur dëmtime serioze në kokë dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale e cila ka zgjatur disa orë.
Gjendja e tij ka ardhur duke u përmirësuar dhe sipas mjekëve, Pulaku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Bashkë me 17-vjeçarin kanë qenë duke udhëtuar edhe dy të rinj, të cilët kanë shpëtuar pa dëmtime të rënda. Ata janë shoqëruar për të dhënë shpjegime mbi aksidentin fatal.
Sipas të dhënave të para të policies, aksidenti ka ardhur si pasojë e shpejtësisë tej normave, por edhe për mosrespektimin e kryqëzimit. Është duke u verifikuar shpejtësia e mjetit "Golf". Për shkak të orës së vonë, mësohet se nuk është respektuar semafori, duke bërë që përplasja të jetë e paevitueshme.
Një grup hetimor dhe ekspertët janë duke verifikuar këtë aksident. Familja Venari bashkë me 56-vjeçarin që gjeti vdekjen, kishin qenë në një dasmë dhe po ktheheshin për në shtëpi në qytetin e Elbasanit.