I dënuar me 13 vite burg në Itali, arrestohet në Tiranë me qëllim ekstradimi 48-vjeçari

TIRANË, 12 korrik/ATSH/ Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me autoritetet italiane, strukturat e Policisë së Shtetit bënë të mundur lokalizimin në zonën e Institutit Bujqësor në Kamzë, dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, të shtetasit B. N., 48 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Napolit (Itali) në nëntor të vitit 2021 e ka dënuar me 13 vjet burgim për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Skllavërimi/Nënshtrimi”, të parashikuara nga legjislacioni penal italian.
Nga informacionet e autoriteteve italiane rezulton se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, shfrytëzonte për prostitucion shtetase të futura në mënyrë të paligjshme në Itali.
Gjithashtu, ai dyshohet se ushtronte dhunë ndaj tyre, me qëllim maksimizimin e fitimeve nga shfrytëzimi për prostitucion dhe mbajtjen e tyre nën kontroll.
Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
/m.m/r.e/