E Diel, 1 Nëntor 2026

I dënuari merr leje, arratiset duke mos u kthyer në burg



TIRANË - Një i dënuar me burg është arratisur nga Burgu i Rrogozhinës. Burime nga Drejtoria e Burgjeve kanë bërë të ditur se një i dënuar nuk është kthyer më pasi i kishte përfunduar leja e dhënë. Drini Shametaj nuk është kthyer dy ditë më parë në Burgun e Rrogozhinës, ndërsa Drejtoria ka vënë në dijeni policinë e Vlorës. Sipas të dhënave, Shametaj është larguar pa lënë gjurmë. Ai ishte i dënuari për akuzën e “kultivimit të lëndëve narkotike”. Sipas të dhënave mësohet se Shametaj ishte dënuar me 3 vjet burgim, ndërsa i kishte mbetur për të vuajtur rreth një vit burg. Policia ka ushtruar kontroll në banesën e tij në Vlorë dhe në vende ku mendohej që ai mund të ishte, por nuk është gjetur.
Ngjarja
Mësohet se Drini Shametaj, 33 vjeç, nga fshati Sevaster, ka kërkuar pesë dije leje për të shkuar pranë familjes së tij. Shametaj kishte paraqitur në Drejtorinë e Burgut të Rrogozhinës, ku dhe vuante dënimin, kërkesën e tij. Pasi janë shqyrtuar kushtet, është parë se i dënuari ka pasur sjellje të mirë, si dhe i kishte mbetur shumë pak nga vitet e tij për të shlyer, atij i është dhënë miratimi për 5 ditë leje. Mësohet se Drini Shametaj është larguar nga Burgu i Rrogozhinës ditën e hënë, ndërsa duhej që të kthehej dy ditë më parë. Mësohet se ai nuk është paraqitur në burg. Fillimisht drejtoria ka dyshuar se i riu mund të kishte pasur probleme dhe do të kthehej më vonë. Por gjithçka ka qenë krejt e kundërta. 33-vjeçari nuk është paraqitur as në orët e vona. Kjo ka bërë që Drejtoria e Burgut të Rrogozhinës të dyshojë që ai është larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit. Për këtë arsye, drejtoria e Burgut ka lajmëruar Policinë e qarkut Vlorë, duke shpallur në kërkim Drini Shametajn.
Dënimi
Drini Shametaj është arrestuar dy vjet më parë nga efektivat e policisë së qarkut Vlorë për arsye se Gjykata e Rrethit Vlorë e kishte dënuar atë me 3 vjet burgim për veprën penale të “kultivimit të lëndëve narkotike”. Ngjarja për të cilën ishte dënuar Shametaj ka ndodhur 6 vjet më parë, ku policia i zbuloi dhe i asgjësoi 69 rrënjë bimë narkotike Cannabis sativa, vepër për të cilën ai u dënua në vitin 2007. Sipas burimeve, të dënuarit i kishte mbetur gati një vit burgim për të vuajtur. Mbi Shametajn pritet që të nisin edhe hetimet për veprën penale të “largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit”.

Pranga shqiptarit, plagosi me thikë adoleshentin në plazh
ROMË - Një shqiptar është vënë në pranga në Itali, pasi akuzohet se ka plagosur me thikë një italian. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në Itali. Siç është bërë e ditur nga media italiane, 26-vjeçari me inicialet P. F. është vënë në pranga pasi akuzohet se ka qëlluar me thikë një 17-vjeçar italian, emri i të cilit nuk është bërë i ditur. Shqiptari i ndaluar është emigrant klandestin dhe pa asnjë lloj dokumenti për qëndrimin e tij në shtetin përtej Adriatikut. I plagosuri kishte ecur në këmbë nga vendi i ngjarjes deri në Komisariatin e Çivitavekias, duke humbur shumë gjak. Ai kishte treguar se ishte qëlluar nga një person i panjohur pas një zënke për motive banale. Ngjarja kishte ndodhur pranë një dyqani të vogël në plazh, rreth orës 14:00 të ditës së djeshme. Policia tha se, adoleshenti kishte një plagë të madhe në stomak dhe është dërguar me urgjencë në spital. Policia tha se, menjëherë ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka vënë në pranga autorin e dyshuar të krimit. Ai ishte një 26-vjeçar shqiptar, emigrant klandestin. Policia tha se ka sekuestruar armën me të cilën është goditur 17-vjeçari, një hekur i gjatë 25 centimetra me teh 9 centimetra dhe në formë sharre. Ai ishte fshehur në bodrumin e pallatit ku jetonte adoleshenti që kishte plagosur.

Fluks aplikimesh, sportelet rrinë hapur dhe në fundjavë
TIRANË - Mbi 6 mijë aplikime regjistrohen çdo ditë në qendrat e aplikimit për pasaportën biometrike në të gjithë vendin. Sportelet e aplikimit funksionojnë edhe në fundjave, por numri i aplikuesve mbetet më i ulët se ditët e javës, për shkak edhe të sezonit turistik. Zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, konfirmoi se aktualisht numri i aplikimeve për pasaportën biometrike është mbi 930 mijë, ndërsa janë prodhuar nga kompania koncesionare mbi 850 mijë pasaporta. Për shkak të rritjes së fluksit të aplikimit në këtë periudhë sezoni veror, ka edhe një zgjatje të afatit të tërheqjes së dokumenteve biometrike të prodhuar nga 7 në 10 ditë. Numri më i madh i aplikimeve konstatohet në qytetet kryesore, ndërsa parashikohet që tetori të ketë një ulje të aplikimeve nga emigrantët për shkak të çeljes së qendrave të aplikimit në 4 konsullatat tona në Romë dhe në Selanik.
Në të gjithë vendin funksionojnë mbi 200 qendra aplikimi, ndërsa procesi deri më tani konsiderohet i suksesshëm. Pajisja e shtetasve shqiptarë me dokumentet biometrike të identifikimit konsiderohet si një prej kritereve më të rëndësishme për procesin e liberalizimit të vizave.

Pranga emigrantit shqiptar, iu gjetën 91 kg Cannabis
ATHINË - Një emigrant shqiptar është arrestuar nga policia e Athinës, në lagjen “Petrupoli”, pasi iu gjet në banesë një sasi e madhe lëndësh narkotike. Konkretisht, Policia e shtetit helen i ka sekuestruar shqiptarit 23-vjeçar 91.17 kg lëndë narkotike e llojit Cannabis sativa, një makinë të cilën ai e përdorte për shpërndarjen e drogës, si dhe 2 celularë. Siç bën të ditur policia, shqiptari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi, u kap pas marrjes së informacionit se ai ishte i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike. 23-vjeçari u lokalizua në Nea Smirni dhe gjatë kësaj kohe banesa e tij ka qenë nën vëzhgimin e bluve të Athinës. Pas vëzhgimit disaditor, policia lokalizoi dhe banesën e tij të dytë, të cilën shqiptari e kishte blerë në Petruli, atje ku dhe u arrestua. Shqiptarit i janë vënë prangat në momentin që ka dalë nga banesa në fjalë. Policia po heton për persona të tjerë të implikuar në shpërndarjen e lëndëve narkotike. I arrestuari dhe materialet në ngarkim të tij iu dërguan Gjykatës së Athinës, e cila vendosi masën burg pa afat dhe sekuestrim të pasurisë së tij deri në përfundimin e hetimeve.

Kundërshton shefin e Komisariatit, në pranga Prenga
LEZHË - Forcat e policisë së Lezhës kanë arrestuar në flagrancë 41-vjeçarin Pjerin Prenga, me banim në fshatin Barbullojë të Lezhës. Burime nga policia thanë se arrestimi i këtij personi është bërë pasi ka refuzuar të paraqesë dokumentacionin dhe kundërshtuar me veprime aktive, duke e shtyrë me duar dhe duke e tërhequr nga rrobat e ofenduar me fjalë fyese shefin e Komisariatit të Policisë në Lezhë, kryekomisar Bajram Hajdarmetën. Siç mësohet, i lartpërmenduri, i cili ishte duke drejtuar mjetin mikrobus për pasagjer, në vendin e quajtur Ura e Cenit, afër tregut të Lezhës, ka bllokuar qarkullimin e mjeteve të tjera duke shkaktuar kaos në trafik. Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, të cilët kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë bërë shoqërimin me forcë të të arrestuarit të lartpërmendur, i cili ka vazhduar me fjalë fyese si dhe duke kërcënuar punonjësit e policisë. Për këtë ngjarje u kryen të gjitha veprimet e duhura procedurale e hetimore si dhe u bë sekuestrimi i dokumentacionit të mjetit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Lezhës për veprën penale të “kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Në hetim për plagosje, arrestohet 30-vjeçari
LEZHË - Forcat e policisë së Lezhës kanë realizuar arrestimin në flagrancë të të kërkuarit Gazmend Lleshi, 30 vjeç, me banim në fshatin Dilbnisht të Kurbinit. Ato konfirmojnë se ndalimi i këtij personi u bë për arsye se Prokuroria e Kurbinit ka urdhëruar ndalimin ndaj tij për veprat penale të “plagosjes së rëndë me dashje në bashkëpunim”, “mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” dhe “kanosjes”. Burime nga policia thanë se, ai dyshohet të jetë njëri nga autorët e ngjarjes së datës 11 mars 2010 në qytetin e Laçit, ku është plagosur me armë zjarri i riu me inicialet K. Ll. dhe ka kanosur shtetasin me iniciale L. B. Materialet në ngarkim të të lartpërmendurit iu kaluan prokurorisë së Kurbinit për veprime të mëtejshme procedurale.

Mbjell Cannabis në tokën e marrë me qira
POGRADEC - Një 34-vjeçar është arrestuar dje në rrethin e Pogradecit me akuzën për kultivim lëndësh narkotike. 34-vjeçari Nderim Qose është ndalur nga forcat e rendit pas kontrollit në tokat e tij në fshatin Trebinjë, ku ju sekuestruan 23 rrënjë Cannabis sativa. Sipas policisë, Qose e kishte marrë tokën me qira në këtë fshat dhe prej kohësh kishte mbjellë bimën narkotike. Arrestimi i tij është bërë ditën e djeshme policia deklaron se ndaj tij ka nisur procedimi penal nga Prokuroria e Pogradecit.

15 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›