A ka liri pa “ndjenjë të turpi" ...?
Besoj se duhet të jemi shumë të shqetësuar për ato gjëra që po ndodhin çdo ditë e më shumë, dhe më të shëmtuara moralisht në shoqërinë tonë. Ka tregues të plotë analitikë dhe sintetikë, social dhe statistikorë që tregojnë se shoqërisë shqiptare po i prishen disa mekanizma moralë dhe social që duhet t’i shërbejnë funksionimit qytetar të saj, sigurimit të balancave qytetare dhe humane. Tashmë, patologjitë sociale janë bërë tejet virulente dhe rrezikojnë prishjen e ekuilibrave sociale që duhet të ketë në shoqërinë tonë, midis lirisë së njeriut dhe vlerave morale të shoqërisë. Sepse, shumë dukuri asociale, amorale dhe anti-qytetëruese e kanë gjetur bazën e “ushqimit” dhe kanë filluar të shprehen gjithnjë e më dukshëm, më me forcë dhe më qartë përmes shfaqjes ekstreme të deformimit të raportit midis lirisë së njeriut dhe të drejtës sovrane për të “mëkatuar” me trupin, mendjen dhe shpirtin e tij dhe ndjenjës pasuese të “turpit” personal dhe social, si mekanizma kontrolli që duhet të “detyrojë” çdo njeri që të ndjejë organikisht dhe të mësohet të pranojë normalisht të vërtetën e shoqërisë moderne për shkak se çdo njeri, si qenie sociale, ka “përgjegjësi morale dhe individuale” për veprimet e kryera dhe pasojat e sjella.
Nuk është fjala për të bërë thirrje apo për të sjellë në shoqërinë tonë moderne ashklat e moralin puritan apo marrëzi të tjera asketike komuniste, që janë kundër natyrës, dëshirave dhe kënaqësive të natyrshme dhe të pazëvendësueshme të njeriut. Në tërësi, duket se megjithë të metat që ka sjellë bota moderne në formatimin e qytetërimit tonë, shoqëria aktuale, nga kjo pikëpamje, është shumë më e mirë se çdo shoqëri tjetër e së kaluarës, të cilat kanë qenë ndërtuar mbi moralitetin, puritanizmin dhe asketizmin fetar, doktrinarist apo komunist. Natyrisht, në kohën tonë, ajo që shqetëson njerëzit është se “liria e kënaqësisë”, si koncept dhe si realitet ka zgjeruar në të njëjtën kohë hapësirën dhe të drejtën e njeriut për të “bërë mëkate” më shumë se në shoqëritë e mëparshme. Kjo është njëkohësisht edhe e vërtetë, por edhe shumë shqetësuese.
Ndaj, ka ardhur koha që të mos jemi të njëanshëm, duke pranuar të drejtën e njeriut për të kënaqur “veten”, trupin dhe shpirtin e tij, dhe duke lejuar pakufi të drejtën e pakufizuar të njeriut për të “mëkatuar” me veten, të tjerët dhe shoqërinë. Kjo do të thotë se nuk mund të bëjmë vlerësimin e të “drejtës së zgjeruar” të njeriut për të gjetur sa më shumë kënaqësi duke “mëkatuar” fizikisht, moralisht dhe shpirtërisht pa pasur në shoqëri një “kornizë morale” dhe, në të njëjtën kohë, edhe një “masë sociale” të qejfit nëpërmjet “mëkatit moral”. Kjo do të thotë se, në shoqëri, përveç lirisë, sovranitetit të qejfit, plotësimit të dëshirave fizike, shpirtërore dhe seksuale është e domosdoshme ndërtimi i sistemit social të vlerave, që do ta ndihmojnë shoqërinë tonë që, në këtë periudhë të kaotizmit moral, të mundësojë kushtet që të shfaqet ndjenja e vetvetishme e “vetëkontrollit” tek njerëzit tanë, që duhet të marrë formën e “ndjenjës së turpit”. Në kohën tonë, në shoqërinë me format modern, ky dallim i dikotomisë së të drejtës dhe lirisë për të “mëkatuar” dhe “ndjenjës së turpit” social që duhet përjetuar, nuk mund të bëhet duke u nisur nga mbeturinat e “tabuve morale” që shoqëria jonë ka ende trashëgim nga e kaluara.
Por padyshim, sot po përballemi me disa dukuri, siç është konceptimi anarkist i lirisë, zmadhimi pa limit i kontureve të privacisë së jetës dhe dëshirave biologjike të trupit. Këto realitete të zgjeruara kanë sjellë në shoqërinë tonë një situatë të vështirë në shumë aspekte të jetës sociale. Por, ajo që është më keq është fakti se përjetimi pa përgjegjësi i të “drejtës për të mëkatuar” është bërë një pandemi sociale që në shoqërinë shqiptare ka çuar edhe në një pasojë konceptuale dhe deformim ontologjik të moralit. Kjo shfaqet çdo ditë në perceptimin kaotik të të drejtave dhe lirive trupore e shpirtërore.
Tani ka tek njerëzit një “kollajllëk amoral” që është zgjeruar dhe po bëhet antidot social që tenton të na krijojë në shoqërinë tonë presion social që të “përshtatemi” me çdo kusht, të adoptohemi patjetër këtë psikologji sociale. Ne, për fat të keq, po ambientohemi në shoqërinë tonë me “mentalitetin e paturpësisë” për të gjykuar pasojat e veprimit personal. Njerëzit tanë po familjarizohen me këtë patologji të paturpësisë dhe kanë filluar të pranojmë, pa shumë kundërshtim, psikologjinë që tenton të bëhet sunduese; atë të adoptimit të njerëzve tanë për të bashkëjetuar pa problem me “mëkatin” dhe të “keqen morale”, pa vrarë shumë mendjen për pasojat e veprimeve dhe teprimeve anormale.
Zgjerimi i hapësirës së lirisë, i kuptuar përgjithësisht në mënyrë jo kulturore dhe tejet sempliste, si e drejtë e njeriut për të “mëkatuar” me veten dhe të tjerët, nuk mund të jetë në thelb e barabartë me konceptin dhe “pjesët përbërëse” të lirisë. Ajo nuk ka kuptim nëse konceptohet e pavarur, e shkëputur, e palidhur, me një ndjenjë të natyrshme të “turpit social”, e cila, në shoqërinë e lirë dhe demokratike është i vetmi mekanizëm i vetëkontrollit të veprimeve morale të njeriut. Është e vërtetë që tani, në kohën dhe shoqërinë moderne, në shoqërinë shqiptare, janë bërë të vështira raporte të tilla si: respektimi i raporteve delikate midis ndjenjave të “lirisë” dhe “turpit”, të drejtës për vetëvlerësim të vetes por dhe për drejtësi sociale të përbashkët. Duke vlerësuar këtë realitet, filozofi amerikano-japonez, Francis Fukyama, me shumë të drejtë, konsideron domodoshmërinë e kultivimit në shoqëri të ndjenjës së njeriut për të “pasur turp”, dhe sidomos, nevojën për të pasur sensin e “drejtësisë sociale”. Sipas tij, tek njeriu duhet të jenë të balancuara ndjenja e “vlerësimit” dhe e “vetëvlerësimit”, e “turpit personal” dhe e “krenarisë sociale”.
Ndjenjat e turpit dhe të krenarisë janë, në fund të fundit, pjesë të rëndësishme që bëjnë të mundur tek njeriu që të sigurojë “balancat sociale” të personalitetit si nevojë për organizimin e shëndetshëm të jetës së përditshme. Në thelb, “ndjenja e turpit” tek çdo njeri është e lidhur edhe me “dëshirat private” të trupit, me mënyrën private, të veçantë dhe të përveçme, siç ai ndërton dhe shfaq ndjenjat dhe intimitetin personal.
Zotërimi dhe disiplinimi i “hapësirës” së jetës private është sot një nga shqetësimet më të mëdha të shoqërisë shqiptare, e cila, për shkak të kakofonisë, po shfaqet me kosto të lartë dhe pasoja sociale të dukshme. Por, pikërisht këtu është hapësira e duhur, ku njeriu kultivon “ndjenjën e nderit” dhe “ndjenjën e turpit” nga që pikërisht në thellësitë e intimitetit dhe në shkëmbimin e marrëdhënieve midis njerëzve, mund të kultivohen këto ndjenja bazale të qytetërimit modern. Natyrisht, ne nuk jemi marksistë që të arsyetojmë në mënyrë dogmatike dhe sempliste, duke nënvleftësuar rëndësinë themelore dhe vlerat fondamentale të intimitetit të njeriut. Në shoqërinë shqiptare të ditëve tona, nuk mund të arsyetojmë për “vlerat morale” të shoqërisë, duke u bazuar në paradigmat mekaniciste të njeriut të vlerësuar vetëm si “qenie sociale” dhe i determinuar në dëshirat e tij, pa hapësira për “liri”, “mëkat” dhe “intimitete të veçanta”. Nuk mund të vlerësojmë sjelljet e njeriut të kohës sonë me përcaktimet tradicionale fikse të ndjenjës së “turpit” dhe “nderit”. Njeriu i vërtetë i kohës moderne është bërë qenie komplekse, është qënie dikotomike socio-biologjike dyfishe, i përbërë nga trupi dhe ndjenjat, është sipas konceptimit filozofik personalist edhe qenie “vegjetariane” edhe “qenie shpirtërore”. Njeriu, në radhë të parë, synon lumturinë individuale. Këtu është hapësira ku lulëzon dëshira, “mëkati” dhe “ndjenja e turpit”, të cilat janë të lidhura bashkërisht dhe ndahen nga njëra tjetra nga arsyeja dhe sensi i masës që ka në thelbin e vet jeta moderne.
Filozofi modern britanik Bertand Rasell, duke folur për këtë çështje, ka dhënë një zgjidhje elokuente të problemit kur shkruan se, “ …që të ketë sukses rebelizmi për krijimin e lumturisë individuale dhe aftësimin e njeriut që të jetojë në mënyrë konsekuente, me një standard dhe jo të lozë midis dyve, është e duhur që në mënyrë të domosdoshme, të mendojë dhe të ndjejë thellë atë që i thotë arsyeja”. (Bertrand Rasëll, “Pushtimi i lumturisë”, faqe 80)
Ndaj, duhet të përpiqemi në familje, në shkollë, në shoqëri përmes edukatës dhe medias që të mësojmë raportet e reja moderne të qytetërimit, lidhjet dialektike midis lirisë, vlerave personale dhe ndjenjës së turpit social. Jetojmë në kohë të reja kur, me sa duket, është dhe do të jetë akoma më shumë në të ardhmen “universi personal” ai që do të përcaktojë “universin moral” të shoqërisë dhe që do të përputhet me të. Natyrisht, një gjë është e sigurt, në shoqërinë tonë të liberalizuar, kur njerëzit janë liruar nga prangat e ngurta të moralit social, janë të pashmangshme të ndodhë “gabimi” dhe “mëkati” njerëzor. Në të vërtetë, ato siç thonë sociologët, janë kusht dhe pasojë e jetës së lirë. Por, shqetësimi është se disa sjellje e qëndrime të njerëzve tanë, janë bërë aq shumë subjektive, të papërgjegjshme, kaotike, anormale dhe jo sociale, sa që duket se e kanë ngatërruar shoqërinë tonë, kanë ngatërruar keq, sidomos raportet e “lirisë subjektive” me “turpin personal”, dëshirën e natyrshme për intimitet me ndjenjën e privacisë së mbyllur, kërkesën e vlerave të përbashkëta sociale të shoqërisë tonë, e cila është e tronditur thellë pikërisht nga që ndjen nevojën e domosdoshme të “rindërtimit të jetës morale”.
Duke analizuar situatën sociale që zhvillohet në shoqërinë shqiptare të kohës sonë, bindesh se tani kemi aq shumë shfaqje asociale, qëndrime anti-qytetëruese e sjellje amorale saqë, në vlerësimin sociologjik e moral, të duket nganjëherë sikur po na mbulojnë shfaqje dhe dukuri që janë të denja për “kohën e paramoralitetit”, kur njeriu ishte vegël e verbër e natyrës dhe veprimtaria e tij ishte në duart e “instikteve të palatuara”, me veprim të hekurt natyror dhe determinist. Në të vërtetë, evolucioni i shoqërisë sonë drejt modernitetit duhet të synojë jo “shthurjen morale”, por humanizimin e instikteve natyrore, të ndjenjave të palatuara të njeriut. Qytetërimi ynë ka progresuar drejt lirisë, por, në të njëjtën kohë, duhet të ecë duke zhvilluar ndjenjën e natyrshme qytetare të “turpit social”. Nuk mund të rindërtohet morali i njerëzve tanë nëse lejojmë që njerëzit tanë të mësohen dhe ambientohen me parimet e deformuara të jetës “paramorale”, që bazohet tek instiktet e njeriut, në egocentrizmin e ndjenjave të hallakatura, apo nëse, akoma më keq, krijohen kushte të përshtatshme që të ambientohemi me situatën e verbërisë morale.
Tani, na duhet të merremi me rregullimin moral të shoqërisë dhe stabilizimin e koncepteve kaotike te disa njerëz që mendojnë se koha e “moralit social” dhe e “vlerave konsensuale” ka marrë fund dhe, sipas tyre, shoqëria është vetëm arenë e kënaqësive individuale, “xhungël” për plotësimit të lirë të instikteve të qejfit personal. Më duket se jemi në kohën e duhur që të merremi më shumë me veten dhe shoqërinë tonë, në mënyrë që të ndikojmë në vendosjen e raporteve të drejta morale në shoqëri, në mënyrë që tek njeriu të ketë stabilitet moral dhe ekzistencial midis ndjenjës së lirisë dhe krenarisë personale, intimitetit, privacisë, por, dhe ndjenjës së “turpit personal” dhe përgjegjësisë sociale. Nuk mund të ndërtohet qytetërimi ynë nëse shtohen përditë njerëzit anormalë, asocialë, ekscentrikë, që nuk kanë raporte ontologjike brenda vetes, apo akoma më keq që nuk kanë disiplinën humane vetjake midis dëshirës së zgjeruar për të “mëkatuar” duke shkelur ligjet, moralin shoqëror dhe rregullat sociale. Të gjitha këto po ndodhin dhe shoqëria jonë nuk mund të rregullohet dhe moralisht të bëhet më e mirë, pa pasur të zhvilluar tek njerëzit tanë ndjenjën dhe perceptimin publik të “turpit social”. Në këtë kontekst, edhe liria morale, e drejta e njeriut që të bëjë “çfarë të dojë me trupin e vet”, duke mëkatuar me të dhe shpirtin e tij privat, ka një kufi, përtej të cilit bëhet dëm social për shoqërinë tonë…
15 Gusht 2010