E Hënë, 2 Nëntor 2026

I dërguari i Kremlinit përfundon bisedimet në Uashington

Për herë të parë që pas fillimit të luftës në Ukrainë më 2022 Moska dërgoi në Uashington për bisedime Kirill Dmitrijevin, i ngarkuari i posaçëm i Vladimir Putinit për bashkëpunimin ekonomik me vendet e tjera.

Ukraina prej kohësh kërkon garanci sigurie. Një i dërguar i posaçëm i Moskës gjatë vizitës në Uashington të paktën nuk i përjashtoi opcionet për këtë. Megjithatë zëdhënësi i Kremlinit Peskov e frenoi debatin.

Pas bisedimeve në kryeqytetin e SHBA-së, Uashington, negociatori rus, Kirill Dmitrijev nuk i përjashtoi garancitë për sigurinë. I besuari i presidentit rus, Vladimir Putin, tha në intervistë për Fox News, se u fokusua tek ekonomia dhe se mund të fliste vetëm në mënyrë hipotetike për këtë temë. “Por mendoj, se – sikurse tha presidenti ynë – nuk është e mundur që Ukraina të hyjë në NAO”.

“Disa garanci sigurie mund të jenë të pranueshme në një farë forme”, shtoi ai. I pyetur nëse Moska do të verë si kusht për armëpushimin shfuqizimin e sanksioneve, Dmitrijev, që është shef i Fondit Shtetëror rus për Investimet direkte, tha, se Rusia ndërkohë nuk ka kërkuar ndonjë shfuqizim.

Peskov: Garancitë për sigurinë pjesë e bisedimeve

Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitrij Peskov nuk deklaroi asgjë të re duke i frenuar deklarimet lidhur me garanci të mundshme për sigurinë. Kjo është një temë shumë e vështirë, tha zëdhënësi i Kremlinit, sipas agjencisë ruse të lajmeve Tass.

“Kjo është pjesë e bisedimeve dhe konsultimeve.”

Por tani për tani nuk është e mundur të flitet për diçka konkrete në këtë kontekst. Dmitrijev ishte i pari i dërguar i Kremlinit për bisedime në Uashington që nga fillimi i luftës më 2022.

Sipas mediave në SHBA për këtë vizitë u pezulluan përkohësisht sanksionet, që janë vendosur ndaj të dërguarit të posaçëm të Putinit për bashkëpunimin ekonomik me shtetet e tjera.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›