‘11 maji është ditë për Shqipërinë’, Berisha: Nuk do të ketë urbanizim, pa legalizim

Gjatë takimeve në zonën e tregut të ish-uzinës ‘Dinamo’ në Tiranë, qytetarët i kanë shprehur kryetarit të PD-së, Sali Berisha shqetësimet e tyre për pronat, siç janë shkatërrimet e banesave nga shteti, apo edhe letrat që u janë dërguar së fundmi për shembjen e pallateve 5 vite pas tërmetit të 2019.
Në bashkëbisedim me ta, kryedemokrati Sali Berisha, i shoqëruar edhe nga anëtarët e degës nr. 8 të PD, u shpreh se, nuk do të ketë urbanizim pa legalizim përpara, me qëllim që të gjithë të marrin atë që meritojnë.
‘E vërteta është se 11 maji për çdo patriot shqiptar është një ditë, as për Sali Berishën, as për partitë, por për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ju siguroj se asnjë socialist i ndershëm që do të votojë në 11 maj, për Partinë Demokratike nuk do të jetë i zhgënjyer. Cilido që e studion këtë program, ky program synon një ndryshim madhor në jetën e shqiptarëve pa dallim. Pensionistëve, biznesi i vogël, të rinjve, rrogëtarëve, biznesmenëve të tjerë. Çfarë duhet të bëjmë ne? Duhet që kthetrat e një shteti mafioz që nuk ka as lidh e as moral, në asgjë. Me mendësinë e një shteti diktatorial. Në 8 vite kemi pasur vetëm një konflikt në Farkë, çfarë bëmë. I them ministrit se, njerëzve u kemi thënë se, nuk bëjmë urbanizim pa legalizim. Prandaj merr plotësoni legalizimet, ti paguajmë dhe pasi morën paratë nuk bënë asnjë kundërshtim. Mbetën të kënaqur. Shteti që hy në konflikt me qytetarët kur ata kanë të drejtë, është zuzar. Në rast se ato rezultojnë të dëmtuara, absolutisht mbi kushte tregu centimetër për centimetër do shpërblehen’, tha kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me qytetarët dhe tregtarët e bizneseve të vogla në këtë zonë.
Berisha: Do rikthejmë edhe njëherë shpirtin e iniciativës së shqiptarëve
Ai u ka shpjeguar tregtarëve të bizneseve të vogla programin e ‘PD-Shqipëria Madhështore’ për biznesin, për lehtësimin e taksave, që ata të kenë mundësi për të investuar më shumë.
Berisha u shpreh me tregtarët se, programi ekonomik i PD-së do të rikthejë edhe njëherë shpirtin e iniciativës së shqiptarëve, që sipas tij, është nga më të fuqishmit.
‘Isha pak më herët tek dyqani i mishit. Ndodh tha të kemi tregun e përparshëm vetëm në ditë festash. Më përpara e kishim çdo ditë, si në ditë festash. Prapë do e kthejmë, të garantoj. Se do të bëjmë gjithçka që ju të keni një barrë fiskale më të ulët. Do ulim çmimin e energjisë, do të bëhet 6 lek. Do përgjysmojmë çmimin e ujit. Do i vendosim kufi bashkisë, nuk do mund të vendosin taksa mbi biznesin e vogël më shumë se 1% të xhiros. Sot i vendosin 8-10% të xhiros. Do rikthejmë edhe njëherë shpirtin e iniciativës së shqiptarëve, i cili është nga më të fuqishmit, nga më të fortit. Në 11 të gjithë bashkë, fitore’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë takimeve me qytetarët.
/rtsh.al/