E Hënë, 2 Nëntor 2026

I dyshuari për të shtënat ndaj Kryeministrit sllovak Fico, del në gjyq me akuza për terrorizëm

Një vit pas tentativës së vrasjes së kryeministrit populist të Sllovakisë, Robert Fico, Juraj Cintula, doli të martën në gjyq në qytetin qendror të Banská Bystrica. Ai akuzohet për terrorizëm, një ndryshim nga akuza fillestare për tentativë vrasjeje.

Ndërsa mbërriti në Gjykatën e Specializuar Penale, Cintula bërtiti: “Rroftë demokracia, rroftë kultura e lirë.”

72-vjeçari akuzohet se ka qëlluar Ficon më 15 maj 2024, ndërsa kryeministri përshëndeste mbështetësit pas një takimi qeveritar në qytetin Handlová. Cintula u arrestua menjëherë pas ngjarjes dhe gjykata urdhëroi që ai të qëndronte pas hekurave. Nëse dënohet, ai përballet me burgim të përjetshëm.

Fico u qëllua në bark dhe iu nënshtrua dy ndërhyrjeve kirurgjikale. Ai është shëruar që atëherë.

I pandehuri refuzoi të dëshmojë në gjykatë, por konfirmoi se deklaratat e tij ndaj hetuesve për motivin ishin të vërteta. Në dëshminë e lexuar nga prokurori, Cintula tha se nuk ishte dakord me politikat e qeverisë, duke përfshirë anulimin e një zyre të prokurorisë speciale që merrej me korrupsionin; fundin e ndihmës ushtarake për Ukrainën; qasjen e qeverisë ndaj kulturës.

Ai theksoi: “Vendosa të dëmtoja shëndetin e kryeministrit, por nuk kisha ndërmend të vrisja askënd.”

Fillimisht Cintula u akuzua për tentativë vrasjeje, por prokurorët e ndryshuan akuzën në “përfshirje në një sulm terrorist”, bazuar në prova të reja hetimore, detaje të të cilave nuk u dhanë.

Implikimet politike dhe roli i Ficos

Zyrtarët qeveritarë fillimisht e cilësuan sulmin si veprim të një “ujku të vetmuar” të motivuar politikisht, por më vonë njoftuan se një palë e tretë mund të ketë qenë e përfshirë.

Fico vetë kishte thënë se “nuk kishte arsye të besonte” se sulmi ishte nga një person i çmendur dhe vazhdimisht fajësoi opozitën liberale dhe median.

Robert Fico ka qenë prej kohësh një figurë përçarëse në Sllovaki dhe më gjerë. Ai u rikthye në pushtet për herë të katërt pas fitores së partisë së tij të majtë Smer (Drejtimi) në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, duke bërë fushatë me mesazhe pro-ruse dhe anti-amerikane. Kritikët e tij kanë akuzuar se Sllovakia, nën drejtimin e Ficos, ka braktisur kursin e saj pro-perëndimor dhe po ndjek drejtimin e Hungarisë nën kryeministrin Viktor Orbán.

Mijëra njerëz janë tubuar vazhdimisht në kryeqytet dhe në të gjithë Sllovakinë për të protestuar kundër qëndrimit pro-rus të Ficos dhe politikave të tjera.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›