E Shtunë, 31 Tetor 2026

I etur për lojë

Lorik Cana po mendon të rikthehet furishëm këtë javë dhe ta heqë të gjithë frustrimin e tij në ndeshjen e Premierligës kundër Arsenalit. Futbollisti kosovar dhe njëkohësisht kapiteni i Sunderlandit ishte detyruar të qëndronte jashtë ekipit të tij, në humbjen 2:0 nga Tottenhami, pasi ishte diskualifikuar.

Pasi është rikthyer nga angazhimet me Kombëtaren shqiptare, Cana ndihet i gatshëm për sfidën ndaj ekipit të Arsene Wenger, pasi nuk ishte i aftë të përballej me rivalët londinezë të Arsenalit, Spurs. Cana ishte ndëshkuar me karton të verdhë në barazimin 2:2 me West Ham United, i cili ishte i pesti për të, që e la automatikisht jashtë ndeshjes së fundit.

Ishte shumë e vështirë për mua që ta shikoja ekipin tim nga ulëset e stadiumit. Unë nuk mund të bëja më shumë, ishte mjaft frustuese për mua. Por, unë nuk kisha zgjidhje tjetër. Ishte e rëndësishme për mua që të isha aty dhe ti përkrahja bashkëlojtarët, pasi nuk mund të luaja. Ajo ndeshje, minimumi është dashur të përfundonte baras, sepse ne luajtëm shumë mirë në 70 minutat e ndeshjes, ku ishim më të mirë në fushë, u shpreh 26-vjeçari për ueb faqen zyrtare të klubit, safc.com.

Arsenal e ka nisur shkëlqyeshëm sezonin. Topçinjtë po e shijojnë një seri prej 13 ndeshjesh të pamposhtur në të gjitha kompeticionet. Humbja e tyre e fundit daton me 12 shtator, kundër Manchester Cityt.

Edhe pse do të kenë punë me njërin prej mesfushorëve më të mirë në botë, Cesc Fabregas, Cana thotë se ai dhe kolegët e tij do të mundohen që tia bllokojnë lojën kundërshtarit, për të arritur deri te rezultati pozitiv.

Arsenal ka një ekip mjaft të mirë, pa dyshim, dhe ata janë lart në tabelë, së bashku me Manchester Unitedin e Chelsean. Ata po luajnë shkëlqyeshëm, veçanërisht në javët e fundit janë kërcënues si në shpi, ashtu edhe jashtë. Loja e tyre është e ndërtuar nga mesfusha, e cila me disa pasime të shpejta dhe me lëvizje të mira, arriti deri te goli. Ne duhet të kemi një organizim dhe të komunikojmë sa më mirë. Kemi futbollistë dhe sistem për ta gjetur zgjidhjen për ta, vazhdoi futbollisti kosovar.

Sunderland ka treguar se mund të përballet edhe me ekipe të mëdha këtë sezon. Macet e Zeza nxorën 4 pikë pas ballafaqimeve me ekipet e mëdha si Chelsea, Manchester United e Liverpool, ku treguan paraqitje të shkëlqyeshme.

Pikët mund të ishin 6, po të mos shënonte autogol Anton Ferdinand i pafat, në ndeshjen e Old Traffordit kundër Unitedit, muajin e kaluar. Cana thotë se Macet e Zeza duhet të mësojnë që të jenë më të qëndrueshëm, në mënyrë që Sunderland të ishte në mënyrë të duhur, përballë djelmoshave të Wengerit.

Nganjëherë, kur ne luajmë kundër ekipeve të mëdha, neve na ngritet niveli i koncentrimit, paraqitjes dhe shpirtit luftarak. Neve na nevojitet ta mbajmë atë ritëm gjatë gjithë kohës dhe të mos humbasim, siç ka ndodhur në 2-3 ndeshje. Mirëpo, të shtunën, unë jam i sigurt se ne do të jemi gati dhe se do të dalim mirë, përfundoi Lorik Cana, i cili shumë shpejt ka hyrë në zemrat e tifozëve të Sunderlandit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›