I ftohti, kërcënim për shëndetin

I ftohti polar që ka mbërthyer Shqipërinë dhe rajonin mund të ketë ndikim në rritjen e sëmundshmërisë në vend.
Sipas kreut të urgjencës kombëtare mjekësore Dr. Skënder Brataj, ekspozimi në temperatura të ulta mund të rezultojë fatal për moshat e treta, të sëmurët kronikë dhe personat që punojnë në ambjente të jashtme.
Temperaturat polare disa gradë nën zero që po rregjstrohen nuk ndikojnë vetëm në shtimin e gjendjeve gripale.
Nëse organizmi ynë nuk e përballon dot të ftohtin, ekspozohet ndaj një sërë ndërlikimeve që prekin zemrën, sistemin nervor, kockat, si dhe rrugët e frymëmarrjes. Në kushte ekstreme të ftohtit, mund të ndodhë edhe hipotermia dhe ngrirja.
Dr.Skëndër Brataj tregon për problemet periferike të qarkullimit të gjakut që hasin individët kur goditen nga i ftohti ekstrem
Por patologjitë e shkaktuara nga mungesa e qarkullimit të gjakut ndikon edhe tek sëmundjet e brendshme dhe shkojnë deri në hemoragji tek moshat e treta
Dimri në disa zona të vendit përbën një kërcënim për shëndetin, sidomos të moshuarve, fëmijëve dhe njerëzit me disa sëmundje kronike, të cilët janë më të prekshëm dhe më në rrezik të marrjes së infeksioneve. Në urgjencën kombëtare nuk ka patur ende thirrje për ndihmë nga i ftohti ekstrem, por për kreun e urgjencës situata mund të rëndohet në ditët në vijim.