E Hënë, 2 Nëntor 2026

“I japim llogari vetëm Zotit”, dy të arrestuarit për terrorizëm refuzojnë të dëshmojnë

“Ju jeni shejtanë dhe ne i japim llogari vetëm Zotit”. Kjo ka qënë e vetmja deklaratë e dy personave të arrestuar nga policia e Shkodrës për armët e gjetura në banesën në fshatin Orosh të Pukës, ku grupi hetimor ka dyshime të forta se të dy janë të indoktrinuar me prirje terroriste.

Duke thënë se se nuk e njohin shtetin dhe as ligjet e vendit, por vetëm fjalën e Zotit, Uka dhe Cumraku kanë refuzuar të japin dëshminë për të sqaruar lidhjet që mund të kenë me grupet terroriste jashtë vendit, apo për faktin se ku i kanë gjetur armët.

Sa i takon armëve të zjarrit, është ende mister për policinë dhe Antiterrorin sesi ata kanë arritur që t’i sigurojnë, pasi asnjëherë prej tyre nuk figuron i punësuar për të siguruar të ardhura, aq më tepër për të blerë municione dhe armë zjarri. Ndaj, hetuesit kanë bindje të forta se Uka dhe Cumraku janë ndihmuar nga persona të tjerë.

Ata kishin dy muaj që ishin shpërngulur në Orosh të Pukës, pikërisht në banesën ku u izoluan për më shumë se 12 orë, ndërkohë që RENEA i kishte rrethuar. Më heret të dy ata kanë jetuar me qira në një dhomë në afërsi të Kamzës, ku janë kryer kontrolle nga blutë, por nuk janë gjetur armë.

Një tjetër pikë e rëndësishme për hetimet është edhe personi i tretë, në rrethin e ngushtë të të dy të arrestuarve. Kjo është zbuluar në bazë të dëshmive të banorëve të zonës. Ata kanë thënë se shpesh herë është parë në shoqërinë e dy të arrestuarve dhe një tjetër person me flokë të gjata.

Brenda banesës së braktisur që i përkiste familjes së Julian Cumrakut u gjetër armë zjarri, lëndë shpërthyer, municione luftarake si dhe flamuri i ISIS. Madje në banesë është gjetur dhe një gropë afro 2 metra që rezulton e hapur kohët e fundit, që dyshohet se mund të përdorej si magazinë për armatime.

Erzen Uka, ish-komando i dënuar më parë për nxitje të terrorizmit si dhe Julian Cumraku gjithashtu i dënuar më përpara, pritet që të dalin për tu njohur me masën e sigurisë në Gjykatën e Shkodrës ku ndaj tyre rëndojnë 4 akuza “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, “Prodhimi i armëve luftarake”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Uka mëngjesin e kësaj të mërkure është dërguar në urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës për mjekimin e një plage në këmbë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›