I jepet titulli "Simboli i Polifonisë" dhe "Qytetar Nderi i Memaliajit"
Bashkia e qytetit Tepelenë dhe shoqata atdhetare "Labëria" organizuan dje një veprimtari homazh kushtuar poetit, rapsodit popullor të talentuar, historianit pasionant dhe gazetarit tepelenas Maliq Lila, në 5-vjetorin e vdekjes. Gjatë kësaj veprimtarie, ku morën pjesë grupe polifonike labe nga Gjirokastra, Saranda dhe Vlora, përfaqësues të pushtetit vendor, krijues dhe të afërm të poetit, u shfaq premiera e një filmi dokumentar kushtuar jetës dhe veprimtarisë së lirikut të polifonisë labe me producent dhe skenarist Petrit Rukën. Maliq Lila njihet në trevat e jugut si krijues këngësh polifonike që këndohen ngado në Labëri e në tërë Shqipërinë, e sidomos njihet si autor i këngëve të grupit polifonik të Bënçës.
Me krijimtarinë e Lilës shumë herë ndodhi fenomeni letrar i anonimatit, që këngët shtegtonin nga fshati në fshat, nga krahina në krahinë e nuk u dihej autori. Rapsodi dhe këngëtari vlonjat Tomorr Leli tha se shumë prej krijimeve të këtij rapsodi kanë "humbur" formalisht dhe ndoshta nuk do botohen kurrë në letra e libra, por ato janë kënduar, këndohen dhe do të këndohen nëpër dasma e festa kombëtare në mbarë Shqipërisë.
Në këtë veprimtari homazh të organizuar në qytetin e Tepelenës në kuadrin e pesëvjetorit të vdekjes së poetit Maliq Lila, Qendra Kulturore e Tepelenës në bashkëpunim me shoqatën "Shtëpia e Polifonisë" organizuan një koncert homazh, ku morën pjesë dhe kënduan krijime të tij grupe polifonike nga Vlora, Himara, Saranda, Tepelena dhe Gjirokastra. "Shtëpia e Polifonisë" i dha poetit dhe rapsodit të njohur titullin e lartë "Simboli i Polifonisë", ndërkohë që Bashkia e Memaliajit, ku ai ka punuar si mësues historie, i dha titullin "Qytetar Nderi". Kohë më parë, Lila është shpallur "Nderi i Qarkut dhe Gjirokastrës" dhe "Qytetar Nderi i Tepelenës".