E Diel, 1 Nëntor 2026

"Lear ‘09" prezanton 56 artistë brenda kufijve, por edhe nga trevat shqipfolëse

E kthyer tashmë në traditë, për të trembëdhjetin vit me radhë, në qytetin e Beratit është organizuar ekspozita e fundvitit. Ky edicion, që për këtë vit mori përmasa ndërkombëtare, bashkoi në galerinë "Eduart Lear" piktorë, fotografë dhe skulptorë. Ky edicionin, që vjen pas një tradite dhe historie të konsoliduar tashmë të arteve vizive në veçanti dhe vlerave kulturore të qytetit të Beratit në përgjithësi, këtë vit vjen me një koncept të ri, duke zgjeruar përmasat gjeografike e duke sjellë vlera të sigurta të krijimtarisë artistike. "Ndihem i kënaqur që këtë vit arritëm të realizonim një aktivitet artistik me përmasa mbarëkombëtare, të sillnim artistë të rëndësishëm, pjesëmarrja e të cilëve i dha një rëndësi tepër të veçantë ekspozitës.
Si organizator, vërej se përvoja e fituar dhe rëndësia që ka ky projekt në artet vizive, por dhe në jetën kulturore të qytetit, domosdoshmërish më kanë dhënë kurajën e nevojshme për t‘i sjellë publikut të qytetit vlera të rëndësishme dhe të sigurta, përmasa e hapësira më të mëdha", shprehet Agron Polovina, organizator i "Lear ‘09". Këtë vit, në ekspozitën që do të qëndrojë e hapur deri në datën 18 janar, prezantohen 56 artistë brenda kufijve, por edhe në trevat shqipfolëse, me 79 vepra të përmasave, materialeve, formave të shumta vizive e përvojave të ndryshme krijuese bashkëkohore. Ekspozita shoqërohej nga një katalog me të gjitha punët e artistëve pjesëmarrës. "Konceptimi si një aktivitet kombëtar është në fakt domosdoshmëria ku duhet të shkojë kjo ekspozitë, niveli që u përshtatet artistëve vizivë të qytetit dhe kërkesa e publikut e miqve të galerisë për vlera më të larta e më cilësore", thekson Polovina.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›