I kërkuar në Itali për trafik droge, arrestohet 41-vjeçari në Durrës

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit finalizoi operacionin policor për kapjen e një 41-vjeçari në Durrës, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit ndërkombëtar antidrogë, të koduar “Tornado”.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera me partnerët në Itali, në vijim të operacionit antidrogë, të koduar “Tornado” mbi vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 18”, kapi në Durrës dhe vuri në pranga shtetasin E.L., 41 vjeç, banues në Manzë, Durrës.
Gjykata e Brescia-s në Itali, në datën 29 shtator 2024 ka lëshuar për këtë person vendim “Urdhër arresti ndërkombëtar”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale.
Policia e Shtetit thekson se po vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për ta ekstraduar këtë shtetas në Itali.
/m.m/r.e/