I kërkuari tenton të largohet me traget, arrestohet në port
TIRANE- Tentoi ti fshihej drejtësisë duke u nisur me traget drejt Italisë, por sinjalizimi për arratinë e tij bëri që policia e Tiranës në koordinim me shërbimet e policisë kufitare të qarkut Durrës të rikthejë në port tragetin ku ndodhej 19 vjecari, duke bërë dhe arrestimin e tij. Bëhet fjalë për Elson Shehin nga Tirana, i cili vetëm një ditë më parë plagosi me armë zjarri pas një konflikti për motive të dobëta, 24 vjecarin Denis Rredhaj edhe ky banor në kryeqytet. Ngjarja u shënua dje rreth orës 21:30 minuta pranë një lokali në rrugën Irfan Tomini. I plagosuri që mësohet të jetë dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak të Tiranës nën trajtim mjekësor jashtë rrezikut për jetën. 19 vjecari Elson Shehi akuzohet për veprat penale të “vrasjes me dashje” e mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 76 - 22 të Kodit Penal. (e.n/BalkanWeb)