Prifti: Niveli i Fierzës ka rënë, janë ndaluar shkarkimet
TIRANë -Prodhimi i energjisë në nivelet rekord të 28.8 milionë kilovat orëve në ditë, si dhe shkarkimet e ujit gjatë natës kanë arritur të vendosin nën kontroll situatën hidrike në vend. Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti deklaron se liqeni i Fierzës ka rënë gjatë 24 orëve të fundit me 75 cm, duke shmangur kështu një katastrofë natyrore. Aktualisht, në Fierzë nuk po bëhen shkarkime, ndërsa hidrocentralet po punojnë me kapacitet të plotë. “Për momentin niveli i ujit në Fierzë është 292, 27 m, në Koman 174, 4 m dhe gjatë natës ka pësuar rritje për shkak të shkarkimeve në Fierzë. Situata është nën kontroll e disiplinuar për momentin, por varet shumë edhe nga kushtet e motit të cilat parashikohen që të vijojnë më reshje në ditët në vijim” duke shtuar se “ këtë emergjencë po e monitorojmë nga afër me grupe të tëra të KESH, OST, OSSH dhe të ministrisë, të cilët janë në vëzhgim të vashdueshëm pa pushim për të bashkëmenaxhuar situatën me grupet e gatshme atje." shpjegon ministri Prifti. Përmes një komunikimi me mediat, kreu i Energjetikës bëri një paraqitje të situatës në liqenet e vendit. “Në Fierzë niveli i ujit ka rënë 75 cm, ndërsa në kaskadën e Komanit niveli i ujit ka arritur në 174.4 metra. Komani ka pasur një rritje të ujit prej 92 cm”, u shpreh Prifti. Ministri Prifti i bëri thirrje opozitës të kontribuojë në këto momentë të vështira dhe sic tha ai të mos bëjë eksperten që merr vesh nga energjetika. (e.n/BalkanWeb)