E Shtunë, 31 Tetor 2026

I lumtur që luan në Serie A

Përparim Hetemaj e ka ngritur në 50 numrin e ndeshjeve të zhvilluara në Serie A, gjë të cilën nuk e kishta arritur asnjë përfaqësues tjetër finlandez. Mesfushori shqiptar ndihet i nderuar me këtë arritje, ndërsa shpreson të vazhdojë me këtë ritëm. Futbollisti kosovar nuk e ka fshehur dëshirën që në të ardhmen të luajë në një klub të madh evropian.

Përparim Hetemaj e ka regjistruar ndeshjen e 50 në futbollin italian. Mesfushori shqiptar ndihet krenar me këtë arritje. Këtë nuk e kishte bërë asnjë përfaqësues tjetër finlandez në të kaluarën. Roman Eremenko në të kaluarën kishte zhvilluar 24 ndeshje në Serie A me Sienën, kurse vëllai i tij i madh, Alexei, zhvilloi 33 takime me Leccen.

"Ndihem mirë që e kam arritur kuotën e 50 ndeshjeve në Itali. Nuk e kisha pritur se për një vit e gjysmë do të zhvilloja aq shumë ndeshje. Sezonin e kaluar kisha disa lëndime dhe kam zhvilluar 30 ndeshje, ndërsa këtë sezon nga 22 i kam zhvilluar 20 takime. Më pëlqen të luaj sa më shumë dhe jam i nderuar me këtë rezultat. I kam kaluar të gjithë finlandezët që kanë luajtur në Itali", deklaroi Hetemaj për ueb faqen mtv3.fi.

Këtë sezon, Hetemaj nuk e ka gjetur ende golin. Ai shpreson ta bëjë një gjë të tillë në fanellën e Chievos, tek e cila u transferuar gjatë verës së vitit që shkoi nga Brescia, e cila ra në Serie B.

Hetemaj e ka bërë një ndër përparimet më të mëdha në futbollin evropian. Në sezonin 2009-10 ai ishte rezervist i rregullt i Brescias në Serie B. Mirëpo, në sezonin pasues bëri një hap gjigant, duke u bërë lojtar i rëndësishëm i ekipit bardh e kaltër.

"Natyrisht, më është dashur të punoj fort për t'u gjendur aty ku jam sot. Kam besuar gjithmonë në vetveten dhe familja më ka mbështetur gjithmonë. Vëllai Mehmet më ka ndihmuar shumë. Nuk e njoh një çelës specifik apo një moment nga i cili kam bërë zgjedhjen e duhur që mund ta përmend. Por, mendoj se është rezultat i koiçidencës. Kisha momente të vështira, por puna e pandalshme e bëri të veten", shtoi ai.

Përfaqësuesi finlandez ndihet i nderuar që luan në një kampionat aq të rëndësishëm si ai italian, i cili konsidrohet si njëri prej më të mirëve në Evropë.

"Lojtarët që vijnë këtu thonë se nëse je në gjendje të luash në Itali, mund të luash kudo. Serie A është mjaft garuese, si në aspektin mental, ashtu edhe fizikisht. Njerëzit këtu bëjnë presion të madh, dëshira për sukses është e fortë dhe kompeticioni është vërtet i vështirë. Italianët nuk i duan humbjet", vazhdoi ai.

"Futbolli italian ndoshta nuk është më i bukuri në botë, por këtu luan rol të madh taktika, e cila është në nivel të lartë. Këtu luhet në një mënyrë ndryshe nga ajo në Gjermani apo Angli, ku vrapohet gjatë tërë kohës. Nuk po them se këtu është një futboll më i keq, por ndryshe", vijoi futbollisti drenicas.

Natyrisht, si çdo futbollist tjetër, edhe Hetemaj ëndërron të luajë në një klub të madh në të ardhmen. "Për momentin jam i lumtur këtu, por objektiv imi është që të bëj hapa tjerë përpara në karierë. Për momentin po mendoj të zhvilloj sa më shumë ndeshje që mundem dhe këtë mund ta bëj vetëm këtu. Në të ardhmen objektiv imi është të luaj në një klub më të madh. Serie A ka klube të mëdha. Mua më pëlqen mjaft Italia dhe gjithmonë më ka pëlqyer futbolli italian", përfundoi Hetemaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›