E Diel, 1 Nëntor 2026

I maskuar me kapele dhe shall, kamerat e sigurisë fiksuan autorin e vrasjes së 58-vjeçarit në Vlorë

Detaje të tjera kanë dalë në dritë per ngjarjen e ndodhur një ditë më parë ku u ekzekutua 58-vjeçari Renato Hoxhaj në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë.

Një prej kamerave të sigurisë  ka arritur të filmojë  autorin e kamufluar me kapele dhe mbuluar me shall për të mos zbuluar fytyrën.

Nga kamera shihet se autori ka ardhur nga kodra pas banesës së  58-vjeçarit. Sipas policisë në vendngjarje janë gjetur 4 gëzhoja të një arme tip pistoletë.

Renato Hoxhaj ka marrë dy plumba në kokë dhe dy në trup.  Autori është  larguar po nga e njëjta rrugë pranë  kodrës së Kuzumbabasë.

Grupi hetimor po mbledh pamjet e kamerave të sigurisë edhe në zonën përreth me qëllim për të siguruar sa më shume të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e autorit.

Policia deri më tani ka shoqëruar 5 persona, por dëshmitë e tyre nuk kanë dhënë detaje që mund të ndihmojnë grupin hetimor për ngjarjen. Bashkëjetuesjsa e viktimës është shprehur  se nuk di që 58-vjeçari të ketë  patur konflikte. Ajo ka theksuar se ka dëgjuar të shtënat, por kishte menduar se ishin fishekzjarre.

Hoxhaj nuk ishte një emër i njohur për policinë, megjithatë po hetohet nëse  mund të ketë pasur probleme në të kaluarën.

58-vjeçari ishte i divorcuar prej vitesh dhe ishte baba i dy fëmijëve të rritur. Nga banorët njihej si njeri i mirë dhe pa probleme./vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›