I ngacmoi gruan me SMS, bashkë me vëllanë marrin peng 23-vjeçarin
Fier- I ngacmoi gruan, ndaj së bashku me vëllanë e marrin peng dhe për katër orë e dhunojnë fizikisht.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Fierit, në fshatin Zhupan të tij. Sipas burimeve të policisë, dy vëllezërit Marjus dhe Ervin Lilo përkatësisht 26 dhe 30 vjeç, kanë marrë peng shtetasin S.Troka pasi ky i fundit kishte ngacmuar gruan e Marjusit prej disa ditësh duke e marrë në telefon dhe duke i dërguar SMS në numrin e saj celular. Bashkëshortja e tij 26- vjeçare i ka treguar të shoqit dhe ky i fundit së bashku me vëllanë e tij kanë vendosur të kërcënojnë 23-vjeçarin.
Sipas hetuesve të çështjes, dy vëllezërit e kanë hipur bashkëfshatarin me forcë në automjetin me të cilin po udhëtonin dhe më pas e kanë dërguar në banesën e tyre. Blutë e Fierit arritën të vënë në pranga dy vëllezërit pas denoncimit të viktimës.