I nxehti afrikan, javën tjetër temperatura 40 gradë
TIRANË - Java tjetër do të sjellë të nxehtin afrikan në vend, me temperatura të larta deri në 40 gradë celsius. Sinoptikanja e 'Meteoalb', Tanja Porja, thotë se "dita e hënë do të jetë me temperaturë maksimale 37 gradë celcius. Dita e martë dhe në vijim do të ketë rritje të vazhdueshme dhe pritet të kemi një maksimum të enjten, të premten dhe të shtunën, që mund të jetë deri në 38-40 gradë celcius".
Në pjesën më të madhe të zonës së ulët, si në qytetin e Elbasanit, Cërrikut, Beratit, Kuçovës, Gjirokastrës dhe pjesës veri-perëndimore, pritet të jenë akoma e lartë.
Moti i kthjellët do të mbizotërojë gjatë gjithë javës së ardhshme, deri të premten, në të gjithë territorin e vendit, thotë sinoptikanja Porja. Ndërkohë, sipas saj, gjatë pasditeve në zonat malore do të ketë kalim të vranësirave, por pa mundur të gjenerojnë shira.