“I paaftë për të reaguar”, Ermal Hasimja: Irani i rrezikuar, e vështirë t’i rezistojë lëvizjeve demokratike

Pedagogu Ermal Hasimja ka folur lidhur me zhvillimet e fundit të ndodhura në Iran. Në emisionin “Një Shqipëri” me drejtues dhe autor Mentor Nazarkon, Hasimja tha se është një spirale ku asnjë nga palët nuk do të donte që të ishte. Sipas tij, në Iran situata është akoma më delikate.
“Iranit i intereson sesi interpretohet çdo lëvizje e shtetit në opinionin publik. Në këtë histori, Irani rrezikon më shumë. Kur është i paaftë për të reaguar e ka më të vështirë t’ju rezistojë dhe faktorëve të brendshëm, lëvizjeve demokratike, që kanë mbetur të fjetura e që herë pas here lëshojnë ndonjë shpërthim. Nuk i intereson të përshkallëzojë situatën, pasi e di që është në gjendje inferioriteti të fortë nga pikëpamja ushtarake”, tha ai.
Katari ka konfirmuar se forcat e armatosura iraniane kanë nisur sulm kundër bazës amerikane në Doha, ndonëse raketat janë rrëzuar dhe nuk ka raportime për viktima.
Sulmi duket se është kundërpërgjigje pas sulmeve ajrore amerikane kundër tri objekteve bërthamore të Iranit, Fordo, Natanz dhe Isfahan, më 22 qershor.
Sulmet e SHBA-së në Iran pasuan sulmin e befasishëm të Izraelit ndaj qendrave bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor.
/rtsh.al/