Dita zero pas mbylljes së negociatave, çfarë i pret bizneset?

Anëtarësimi në Bashkimin Europian do të jetë më i shtrenjtë për bizneset që nuk kanë filluar ende të investojnë për standardet.
Ndërsa qartëson efektet e legjislacionit europian mbi sipërmarrjet shqiptare, drejtuesi i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, i tha emisionit “Kuota” në televizionin publik se shpejtësia e procesit e bën edhe më të ngutshëm informimin dhe reagimin e ndërmarrjeve.
“Kërkohet një komunikim i mirë me bizneset, një informim i mirë se ç’ndodh,” tha z. Gjipali.
Më të ndjeshme ndaj ndryshimit të legjislacionit, sipas ekspertit Gjipali, janë çështjet mjedisore.
“Mjedisi, kapitulli 27, ka koston më të lartë për të arritur standardet europiane. Ka hapësira ku Bashkimi Europian të toleron, domethënë të duhet t’i arrish këto standarde edhe pas anëtarësimit,” u shpreh eksperti.
Mes skajshmërisë që fermerët shpesh prodhojnë, por nuk e dinë certifikimin europian të llojit, dita zero pas mbylljes së kapitujve mund ta çojë sfidën nga humbja e produktit të një sezoni deri te dalja nga tregu.
Por eksperti Gjipali sugjeron që biznesi nuk duhet trembur, ndërkohë që duhet informuar e bashkëpunuar me të.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/