I pakënaqur me kontratën, mban peng projektin

Maia Morgenstein, Margarita Xhepa dhe Maria Kaciadhaki në dramën "Kush e solli Dorontinën" e regjisorit grek Sotiris Haxaqis, në skenën e Teatrit Kombëtar
Elsa Demo
Ndodh edhe kështu. Mallkimi i fukarenjve vepër e artistit bashkëkohor amerikan Sem Shepard u miratua në korrik 2011 nga bordi artistik i Teatrit Kombëtar. Krahas Amadeusit, parashikohej ta shihte skenën në sezonin teatror 2011-2012. U krijua trupa e aktorëve me Ndriçim Xhepën e Yllka Mujon, protagonistë të kësaj komedie të zezë me tone të absurdit mbi familjen amerikane të viteve shtatëdhjetë. Ska pasur Shepard ndonjëherë ndonjë vënie në skenën shqiptare. Dhe vepra në fjalë është nga më përfaqësueset e krijimtarisë së tij, i vlerësuar me Pulitzer më 1979. Propozuesi i Mallkimit të fukarenjve është Kastriot Çipi, njëherësh përkthyes i veprës.
Çipi ka bërë tjetër herë zgjedhje nga dramaturgjia amerikane e teatrit të absurdit, siç ka qenë rasti i prurjes së Eduard Olbit me Histori zooparku 2003, prapë në Teatrin Kombëtar.
Trupa e aktorëve dhe realizuesit e veprës, skenografi e kostumografi, kishin rënë dakord dhe kishin nënshkruar kontratat me Teatrin Kombëtar. I vetmi që spo e bënte këtë ishte regjisori Kastriot Çipi. Premiera ishte njoftuar për në 26 shkurt 2012.
Deri dje asnjë lajm zyrtar për këtë anulim dhe devijim të programit. Kujtojmë që TK, deri tani, nuk e ka prodhuar ende shfaqjen e parë për këtë vit. Dhe nuk është kjo rrjedhë normale.
Kastriot Çipi që prej disa muajsh rri në derën përbri të TK-së, si drejtor i Teatrit Kombëtar të Komedisë, refuzon ti përgjigjet Shekullit për një shpjegim publik për mbajtjen peng të projektit.
Ndërsa drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami dha për gazetën dy arsye. Sipas tij regjisori nuk ka pranuar të nënshkruajë kontratë sepse ska qenë dakord me masën e shpërblimit artistik në vlerën 350 mijë lekë dhe e dyta, regjisori ka kërkuar që 15% të të ardhurave nga biletat, ti merrte ai si krijues. Unë nuk mund të bëjë një kontratë për diçka që nuk është përcaktuar në ligj thotë Skrami. Ne jemi të vetëdijshëm, qoftë TK edhe TKK se nuk na u dha ai buxhet që pretendonim për vitin 2012.
Drejtori kujton se pavarësisht shtrëngesave financiare që kanë pësuar gjithë institucionet e kulturës në vend, masa e shpërblimit për regjisorin në fjalë nuk ka qenë më e vogël nga e kolegëve të tjerë. Megjithëse shpërndarja e buxhetit bëhet në varësi të përmasave të projektit, nuk ka diferenca të theksuara në shpërblim. Edhe regjisorët e tjerë janë paguar në masën 300-350 mijë lekë, thotë drejtori i TK-së dhe shton: Më duket banale që një krijues të diskutojë do marr kaq apo do marr aq dhe të dëmtojë kalendarin e parashikuar. Shtyrja e Mallkimit të fukarenjve (i tërë produksioni parashikohej me vlerë 3.5 milion lekë) do të dëmtonte edhe projektin që sapo është hedhur në skenë Henrin VI. Kështu që është diskutuar dhe nga bordi e ri i TK-së dhe është lënë që të rishihet kjo punë në një fazë tjetër. Skrami bën të ditur se nëse regjisori nuk heq dorë nga këto dy pretendime, Teatri nuk mund ta presë pafundësisht!
Supozohet që një institucion i shpërndan paratë e taksapaguesve për projektet artistike në bazë të cilësisë së ideve që propozojnë individët po aq edhe të korrektesës së tyre profesionale. Këtyre individëve, krijues e autorë, iu besohen fonde publike po aq edhe fonde shpirtërore dhe vëmendje për një akt publik të komunikimit me artin. Asgjë në këtë histori nuk përbën aksident.
Shpërblimi i artistit
Po ta shohim këtë rast brenda një kuadri nevojash për reforma në kulturë dhe arte, del se Ligji Për Artin dhe Kulturën 2010, është akoma larg pretendimeve. Ky ligj parashikon ndër të tjera masën e shpërblimit të gjinive artistike, sipas fushave të artit dhe kontributin e angazhimit të përkohshëm në projektet artistike. Për sa kohë nuk ka një VKM që të përcaktojë se sa duhet të jenë shpërblimet për artistët e arteve skenike, atëherë ato i përcakton bordi artistik, tagër që ia jep Ministria e Kulturës. Së paku në tre-katër vitet e fundit një regjisor teatri shpërblehet me 300-400 mijë lekë. Aktorët paguhen sipas kategorive. Kategoria I deri në 250 mijë lekë (maksimumi), kategoria II deri në 150 mijë lekë, kategoria III rreth 80 mijë lekë.
Buxheti i Teatrit Kombëtar ka ardhur në rënie në 10 milion dhe kjo e detyron TK-në të mos iu përgjigjet në kohë pagesave të artistëve. Një tjetër burim të ardhurash për institucione buxhetore si ky teatër do të ishin të ardhurat nga shitja e biletave. Ligji Për Artin dhe Kulturën parashikon që ky burim tiu mbetet teatrove. Kjo do të bëhej realitet nga aktet nënligjore, hartimi i të cilave duket ende larg. Është një histori e përsëritur e një ligji të mirë shqiptar por i pazbatueshëm.