I pandehur nga SPAK për korrupsion në zgjedhje, Kristian Shkreli dëshmon në GJKKO: Nuk kam premtuar apo ofruar asgjë në këmbim të votës

Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për korrupsion në zgjedhje, dha këtë të martë deklarimet e tij në GJKKO, duke mohuar akuzat dhe duke këmbëngulur se nuk ka premtuar apo ofruar përfitime në këmbim të votës.
Gjatë dëshmisë, Shkreli u shpreh se problematika e furnizimit me energji elektrike në fshatin Stajkë ishte ekzistuese prej vitesh dhe se kontaktet e tij me drejtues të institucioneve kanë qenë pjesë e detyrës si kryetar bashkie.
Duke iu referuar një bisede të përgjuar të administruar nga SPAK, ku përmendet shprehja “jepi zjarr”, Shkreli tha se ajo nuk kishte lidhje me kërkimin e votave apo premtimeve elektorale.
“Nuk kam ofruar dhe premtuar asgjë në këmbim të votës, fshati Stajkë kishte problematika që në vitin 2019 me energjinë elektrike, unë çdo dit bëj telefonata për problematikat e banorëve, unë mund të jem edhe sot në përgjim, dje mora një drejtor tjetër se kishte problem me dritat në një fshat tjetër, marr dhe drejtorin e spitalit kur ka problematika e më vijnë ankesa. Mesazhi që prokuroria thotë ‘jepi zjarr’ është që un kam kërkuar që në takimin elektoral që ishte lënë të kishte brohoritje ovacione, jo të kem kërkuar vota apo të kem ofruar të mira materiale apo vende pune”, tha ai.
Kryebashkiaku shtoi se kishte kërkuar pjesëmarrje sa më të madhe në aktivitetet elektorale, duke theksuar se situata gjatë fushatës ishte e tensionuar. Ai sqaroi edhe një tjetër frazë të përfshirë në dosjen hetimore, ku pretendohet se u kishte thënë banorëve “ua kam dhënë unë lekët”.
“Unë kam kërkuar që të vijnë sa më shumë njerëz në miting, si tek i PS dhe ai i PSD, ka qenë situatë e tensionuar, 500 herë më kanë marrë në telefon për problemin e banorëve, nuk më pushonte telefoni nga ankesat, banorët kishin 2 javë pa drita. Një frazë që prokuroria thotë që i kam thënë banoreve ‘ja kam dhen un leket’ , është që të bindja qytetarët që defekti i linjës do rregullohej, por unë nuk kam dhënë asnjë lek OSHEE”, ka deklaruar ai.
Sipas SPAK, Shkreli u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale banorëve të fshatit Stajkë, në këmbim të votës për Partinë Socialdemokrate. Prokuroria thotë se ai shfrytëzoi nevojat për infrastrukturën e energjisë elektrike për përfitim politik.
/rtsh.al/