E Hënë, 2 Nëntor 2026

I përfundoi mandati si ministër i Jashtëm, Igli Hasani: Nder që shërbeva në një periudhe historike për Shqipërinë

Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka njoftuar përfundimin e mandatit të tij në krye të diplomacisë shqiptare, duke e cilësuar këtë periudhë si historike dhe transformuese për vendin.

Kujtojmë se ai sot u zgjodh në kryet të Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme.

Në një koment në rrjete sociale, Hasani ka theksuar arritjet kryesore të Shqipërisë gjatë kohës së tij në detyrë, përfshirë përfundimin e mandatit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, hapjen e 28 prej 33 kapitujve negociues me Bashkimin Evropian, si dhe mikpritjen e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.

“Ka qenë një nder të shërbej përgjatë një periudhe historike dhe transformuese për Shqipërinë të shënuar nga përfundimi i mandatit tonë të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, hapja e 28 prej 33 kapitujve negociues me BE-në , mikpritja e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, si dhe arritje të tjera që forcuan rolin tonë në Evropë dhe në botë, mes sfidave të thella për kontinentin tonë dhe më gjerë.”- u shpreh Hasani.

Duke falënderuar stafin, Hasani thekson se është mirënjohës ndaj tyre dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë për bashkëpunimin e ngushtë.

Kujtojmë se, Igli Hasani e mbante detyrën e ministrit të Jashtëm që prej shtatorit të 2023-s.

Pas përfundimit të mandatit si Ministër, Hasani do të vijojë angazhimin e tij në politikën e jashtme duke drejtuar Komisionin Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Me të njëjtin mision, por nga një këndvështrim i ri,” përfundon Hasani.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›