I rishikohet mandati
-490x320.jpg)
Ndërkombëtarit më të pushtetshëm në Kosovë, Pieter Feith, do t’i rishikohet mandati nga përfaqësues të 25 shteteve që përbëjnë Grupin Mbikëqyrës Ndërkombëtar (ISG), në takimin që do të mbahet në Vjenë, më 8 shkurt, kanë thënë burime të Expressit.
Rishikimi i mandatit të Shefit të ICO’së bëhet në përputhje me planin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës të Martti Ahtisaarit.
Në këtë plan thuhet se jo më vonë se dy vjet pas hyrjes në fuqi të Planit Ahtisaari, Grupi Mbikëqyrës Ndërkombëtar do të zhvillojë një shqyrtim të plotë të kompetencave të Shefit të ICO’së, duke synuar zvogëlimin gradual të fushëveprimit të kompetencave dhe shpeshtësisë së intervenimeve të tij.
Sipas burimeve të gazetës, në takimin e ISG’së në Vjenë do të arrihet pajtimi për shkurtim të vogël të kompetencave ekzekutive të Pieter Feithit.
Konsultimet ndërmjet drejtorëve për Ballkanin të shteteve të ISG’së për rishikimin e mandatit të Feithit kanë filluar para disa muajsh. Çdo ndryshim në mandatin e tij duhet të rekomandohet nga Feith. Roli i tij do të zvogëlohet gradualisht në të ardhmen, paralelisht me shkallën e zbatimit të Planit Ahtisaari.
Diplomati holandez është emëruar Përfaqësues Civil Ndërkombëtar më 28 shkurt, 2008. Ai është autoriteti suprem për mbikëqyrjen e zbatimit të Planit të Ahtisaarit dhe ka kompetenca ekzekutive për ndërhyje dhe korrigjim të veprimeve që bien ndesh me këtë plan.
Një pjesë e dispozitave të Planit të Ahtisaarit janë vënë në jetë, siç është pakoja legjislative, krijimi i institucioneve shtetërore si dhe krijimi i tri komunave të reja me shumicë serbe.
Megjithëkëtë, për shkak të kundërshtimeve nga një pjesë e komunitetit serb, veçanërisht në Veri të Kosovës, si dhe për shkak të mosaprovimit të Planit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit të OKB’së, zbatimi i një pjese të dispozitave ka ngecur.
Në takimin e radhës së Grupit Mbikëqyrës në Vjenë do të diskutohet edhe rreth Strategjisë për vendosjen e ligjshmërisë në pjesën veriore të Kosovës.
Diplomatët ndërkombëtarë pritet t’i japin mbështetje këtij plani të hartuar nga institucionet kosovare dhe Zyra Civile Ndërkombëtare.
Anëtarët e Grupit Mbikëqyrës japin vlerësime periodike për të arriturat në Kosovë.
Përveç detyrës si Shef i ICO’së, Pieter Feith është edhe Përfaqësues Special i BE’së në Kosovë. Jozyrtarisht thuhet se ai do t’i ruajë të dyja “kapelat” deri nga fundi i këtij viti.
Mandati i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar do të skadojë atëherë kur Grupi Mbikëqyrës të konstatojë se Kosova i ka përmbushur të gjitha provizionet e Planit të Ahtisaarit.