E Shtunë, 31 Tetor 2026

I riu nga Kukësi gjendet i vdekur pas 11-vjetësh

ITALIBesnik Paca ishte nisur emigrant kur ishte 17-vjeç dhe familja nuk kishte asnjë lajm nga ai. Trupi ishte varrosur si shtetas kosovar

Një histori e dhimbshme emigracioni shqiptar ka përfunduar dje në mënyrën më tragjike të mundshme. Djali ishte nisur 11 vjet më parë në drejtim të Italisë dhe që nga ajo kohë familja nuk kishte asnjë të dhënë për të.


Kërkimet e shumta të familjes nga Vranishti i Kukësit nuk kanë mundur që të nxjerrin në dritë asgjë për djalin deri sa dje ka ardhur konfirmimi tragjik. Djali i tyre kishte humbur jetën në një aksident dhe ishte varrosur në tokën italiane po me një emër tjetër. Pikërisht kjo gjë kishte bërë pothuajse të pamundur gjetjen e tij.


Historia nis në vitin 1998, kur Besnik Paca, në atë kohë ishte vetëm 17 vjeç, u nis drejt Italisë për një jetë më të mirë. Pak kohë pasi mbërrin në Itali ai humb jetën në një aksident hekurudhor. Policia italiane kontrolloi viktimën për dokumente por nuk i gjeti asgjë.


Pak metra më tej u zbulua një dokument identifikimi serb
që fliste për një qytetar kosovar me të njëjtin emër Besnik Paca, që kishte lindur në Gjakovë. Duke iu referuar këtij dokumenti autoritetet italiane të zonës së Barletës e varrosën djaloshin fatkeq si shtetas kosovar.


Më pas ngjarja merr një drejtim krejt tjetër.
Policia shqiptare nëpërmjet zyrës së Interpol Tiranës shpalli në kërkim shqiptarin Besnik Paca, i lindur në Vranisht të Kukësit, pasi që në 1998 familja kishte humbur kontaktet me të. Policia italiane merr në dorë materialet përkatëse të djalit të ri si dhe një video që e kishte realizuar një e afërme e Besnikut.


Ajo e krahason foton që kishte nxjerrë nga video me një foto në varrin e të riut kosovar në Itali dhe lindin dyshimet se bëhet fjalë për të riun shqiptar. Më pas, dy të afërm të Besnikut nga Londra konfirmojnë se viktima i varrosur si shtetas kosovar është pikërisht Besniku nga Shqipëria. Tashmë pas 10 vitesh, trupi i djaloshit do të kthehet në Shqipëri.


E nga gjithë kjo histori e dhimbshme mbetet të thuhet se të paktën familjarët do të kenë një varr ku ta qajnë djalin e tyre. Ka edhe dyshime për mënyrën se si ka vdekur djaloshi, megjithatë kjo çështje e hershme tani është mbyllur. Është një dramë më shumë për familjet shqiptare, fëmijët e të cilëve u nisën për një jetë më të mirë, por nuk u kthyen kurrë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›