Raporti, BE: Të lexohet me kujdes
Pas publikimit të raportit, reagon ministri i Jashtëm i Suedisë dhe Komisioneri për Zgjerimin
TIRANË - Përpos euforisë se klasës politike shqiptare, e veçanërisht mazhorancës për ta cilësuar raportin e OSBE-ODIHR-it si më të mirin ndër vite dhe pa probleme thelbësore, Bashkimi Europian reagon, duke i sugjeruar klasës politike shqiptare që përfundimet të lexohen me kujdes.
Një ditë pas publikimit të vlerësimeve përfundimtare të OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet parlamentare të qershorit, BE-ja vlerëson paraprakisht se vendi ndodhet në një pozitë më të mirë në rrugën drejt integrimit, por thekson se raporti i vëzhguesve ndërkombëtare duhet të lexohet me kujdes.
I pyetur nëse pas leximit të raportit përfundimtar mbi zgjedhjet, Shqipëria ndodhet në një pozitë më të favorshme ose jo në rrugën e saj drejt BE-së, ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, vendi i të cilit mban presidencën e Bashkimit Europian, u përgjigj se bazuar në raportin e OSBE/ODHIR-it, Shqipëria tani është në një pozitë më të mirë.
Deklarata e ministrit suedez u mbështet dhe nga komisioneri europian për Zgjerimin, Oli Rehn, i cili shtoi se raporti duhet lexuar me kujdes deri në fund.
"Më është dashur të merrem me Afganistanin dhe nga kjo pasdite do merrem dhe me dosjen e Shqipërisë", - tha Rehn pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm, ku Ballkani nuk ishte i përfshirë në agjendën e bisedimeve.