E Shtunë, 31 Tetor 2026

I shpallin luftë digjitale

Grupi i hakerëve, Anonymous, sulmoi të premten shumë web-faqe izraelite në internet. “Nuk do të qëndrojmë duarkryq dhe të shikojmë sesi shteti qyqar sionist po i shkatërron jetët e pafajshme”, thuhet në njoftimin e grupit.

Përderisa Izraeli të premten vazhdoi me granatimin e Rripit të Gazës,grupi i hakerëve, Anonymous, vendosi të vihet në anën e palestinezëve, dhe të fillojë me sulmet digjitale kundër rrjetit të internetit të Qeverisë së Izraelit.

Qysh të enjten në mëngjes, grupi Anonymous paralajmëroi se do të rrënojë web-faqet e Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit, atë të kryeministrit Netanyahu, si dhe disa web-faqe të tjera që kanë lidhje m Qeverinë e Izraelit. Nëpërmjet rrjetit Twitter grupi iu bëri thirrje përkrahësve të tij që të rrënojnë edhe 40 web-faqe të tjera. Grupi njihet për sulmet DoS, përmes të cilave një web-faqe e caktuar bllokohet shkaku i qarkullimit enorm, gjë që shkakton rënien e saj.

Kërcënojnë web-faqet e politikanëve

"Njerëz në Gazë dhe në ‘territoret e okupuara’, dijeni se Anonymous janë me ju në këtë betejë. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i ndalur forcat e ushtrisë izraelite, të cilat janë vërsulur kundër jush. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mjetet për t’ju siguruar qasje në internet, dhe për t’ju mundësuar që edhe më tutje t’ia tregoni botës përvojat e juaja”, thuhet, mes tjerash, në kumtesën e grupit.

Grupi i hakerëve kumtesën e ka publikuar në një web-faqe, në të cilën njofton edhe për atë se ka arritur të rrënojë web-faqen e një shërbimi izraelit të sigurimit dhe të zbulimit. Në kumtesë është postuar edhe një fotografi, për të cilën grupi pohon se tregon ndërtesat që po digjen në Rripin e Gazës, bashkë me porosinë se: “Ne jemi Anonymous, dhe ne nuk do të qëndrojmë duarkryq përderisa shtetit qyqar sionist po i shkatërron jetët e pafajshme”.

Grupi aktivist i hakerëve ka publikuar edhe pakon e mjeteve nëpërmjet të cilave përkrahësit e tij palestinezë mund të mbesin të kyçur në internet dhe atëherë kur qeveria izraelite vendos ta ndërprerë sinjalin e internetit në Rripin e Gazës. Përkundër kërcënimeve të ashpra, misioni i Anonymous deri më tani nuk ka shkaktua ndonjë dëm të pariparueshëm, sepse shumica e web-faqeve të shënjestruara izraelite funksiononin gjatë ditës së premte, njoftoi gazeta amerikane ‘The Huffington Post’.

Për më tepër, pas sulmeve raketore kundër Izraelit, forcat tokësore të ushtrisë izraelite janë në gjende gatishmërie.

"Izraeli do të vazhdojë me sulmet shkatërruese kundër infrastrukturës terroriste në Rripin e Gazës, duke u mundur që të shmang viktimat civile”, thuhet në një njoftim të Ministrisë izraelite të Mbrojtjes.

Pritet që Izraeli të fillojë një ofensivë të re në Gazë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›