12 porositë e Arbën Xhaferit

Ky libër, i cili gjendet në stendat e Panairit të Librit në Tiranë, përmban 12 intervista të rralla për nga gjuha, cilësia e mendimit, idetë që përcjellin, vizioni, besimi i ideologut dhe mendimtarit mbarëshqiptar, i cili u nda nga jeta këtë verë.
Xhunga e quan librin “platforma mbarëshqiptare e Arbën Xhaferit, drita në fund të tunelit të Shqipërisë Etnike” dhe ia sugjeron leximin çdokujt që është dhe do të bëhet pjesë e jetës publike të vendit. “Nëse të duhet një mentor, ai është Arbën Xhaferi.
Nuk ke për të njohur dikë të ngjashëm, aq racional dhe optimist, aq besimtar në tezën se Shqipëria bëhet dhe ti mund të japësh një dorë. Po ikën koha e polarizimit dhe sharjeve, do të vijë koha e ndërtimit. Shumë shpejt. E atëherë ti nuk mund t’u referohesh debateve pa bukë e argumente të politikës aktuale shqiptare, ku askush nuk prodhon asgjë.
Kjo kohë është shterpë dhe po vdes si e tillë. Arbën Xhaferi ka ide, ka vizion, ka ç’të ndajë me ty”, thotë Rudina Xhunga, e cila e çon në katër numrin e librave të saj, veçse ky i fundit është tërësisht ndryshe nga tre të parët.
“Këto intervista janë flamuri i tij, janë modeli, besimi dhe ëndrra e një njeriu, që jo vetëm e njihte mirë, por edhe dinte ta donte bukur Shqipërinë. E donte me optimizmin e atij që të thotë se perspektiva është këtu afër nesh, ne thjesht s’e shohim; e donte me ngutjen e atij që të shtyn se nuk mund të presësh edhe 100 vjet të tjerë me vaj e faj, për t’u bashkuar; e donte me urtësinë e atij që tregon Rrugën”, shkruan Rudina Xhunga në parathënien e librit. Këto intervista janë realizuar përgjatë 12 viteve, kur Arbën Xhaferi ka qenë i ftuari i saj në studion e emisioneve politike ‘Dritare’, në ekranin e TVSH-së dhe ‘Shqip’ në ‘Top Channel’.