I shpallur në kërkim ndërkombëtar, ekstradohet nga Greqia Firdeuss Berberi

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Policia e Shtetit ka ekstraduar nga Greqia, shtetasin Firdeuss Berberi, i cili dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin G. M. kanë plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin Johan Muçllari në Pogradec në vitin 2022.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Pogradec, me vendim penal të datës 29.04.2022, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe kryer në bashkëpunim, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “prishja e qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 76, 25 dhe 22, 278/1 dhe 274 të Kodit Penal.
Si rezultat i bashkëpunimit të “Interpol Tirana” me “Interpol Athina” u bë i mundur arrestimi i tij në Greqi, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.
/k.s/a.f/