I shpallur në kërkim ndërkombëtar, pritet të ekstradohet nga Dubai 37-vjeçari me rrezikshmëri të lartë shoqërore

Një 37-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pritet të ekstradohet këtë të mërkurë (23 korrik) nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt vendin tonë. 37-vjeçari me inicialet D.B. akuzohet për një sërë veprash penale në fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje. Sipas Policisë, ai është një person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore.
GJKKO i ka caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.
37-vjeçari dyshohet të jetë edhe autori i vrasjes së Gjin Boriçit, ngjarje e ndodhur më 9 Gusht të vitit 2020. Gjin Boriçi u gjet i vrarë në fshatin Shkjezë të Vaut të Dejës. Trupi i tij i pajetë u gjet pak metra larg automjetit tip “BMW”.
/rtsh.al/